Deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni është shprehur se Presidenti Ilir Meta ka 7 ditë afat për të dekretuar propozimin e Kryeministrit Edi Rama, për ministrin e ri të Brendshëm Sandër LLeshi.
I ftuar në emisionin “45 Minuta” në Report Tv, Hyseni ka thënë se Gjeneral Lleshi është një personalitet që i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për një ministër, ndërsa ka theksuar se këshilltarët e Metës nuk mund të çmenden duke mos dërguar dekretin të shtunën në Parlament.
“Gjeneral Lleshi është një personalitet, që ka punuar pranë kryeministrit. Kam besim që kandidati për ministër i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për një ministër dhe jam i bindur që do të kryejë atë detyrë. Presidenti ka 7 ditë afat. Në krye të 7 ditëve është i detyruar të shprehet për dekretin. Brenda këtyre ditëve mund të bëjë verifikimet e nevojshme për kriteret formale.
Presidenti shqyrton dekretin nga pikëpamja honorike. Nuk shikoj asnjë ngërç. Besoj që Meta do të sjellë dekretin ditën e shtunë në parlament. Besoj që Presidenti në përmbushje të afatit do e dekretojë emërimin e ministrit të ri dhe parlamenti në seancën e radhës do të emërojë ministrin e ri. Nëse nuk dekretohet? Ministri në detyrë Xhafaj do të vazhdojë.
Por nuk mendoj se këshilltarët e presidentët do të çmenden, nuk mendoj se do i lerë presidenti që të çmenden. Nuk mendoj se Presidenti do të shkelte Kushtetutën. Po nëse do ta shkelte? Pasojat janë në Kushtetutë. Jam i bindur se presidenti nuk do ta çojë veten të shkelë Kushtetutën”, u shpreh deputeti socialist Alket Hyseni.