Prezantohen përmbaruesit e rinj, Gogu e Lutaj i paralajmërojnë: Nuk do e tolerojmë korrupsionin, mbroni interesat e qytetarëve

0
443

Në një ceremoni të zhvilluar dje në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u zhvillua prezantimi i 19 përmbaruesve të rinj shtetërorë në të gjithë vendin, përzgjedhja e të cilëve u bë përmes Këshillit Përmbarimor. I pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe zv. ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili i inkurajoi përmbaruesit e rinj të mos harrojnë që janë fytyra e shtetit në kurorëzimin e drejtësisë së dhënë në sallën e gjyqit. Zv. ministri vlerësoi gjithashtu rezultatet e mira të përmbaruesve. Sipas tij, pavarësisht se në 8 muajt e fundit ka pasur një numër më të vogël përmbaruesish, numri i vendimeve të ekzekutuara prej tyre është rritur 40%. Megjithatë Gogu nuk nguroi t’ju jepte një mesazh të qartë të gjithë atyre përmbaruesve, lidhur me rastet e korrupsionit.

“Nuk dua të besoj që në mesin tonë ka kolegë që praktikojnë metoda korruptive. Padrejtësia dhemb. Ju nuk duhet të vendosni interesin personal mbi atë publik. Merreni seriozisht detyrën”, u shpreh Gogu. Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, Piro Lutaj dha një mesazh për kryetarët e zyrave përmbarimore, që të marrin situatën në dorë dhe të mos zvarrisin ekzekutimin e vendimeve të gjykatave në dëm të qytetarëve shqiptarë. “Nuk do tolerojmë që ju të krijoni telashe për qytetarët shqiptarë”, tha Lutaj. Prezantimi i tyre erdhi në një moment kur ka nisur epoka e arrestimeve. Pak ditë më parë shkoi në burg ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko. Dhe kryeministri Edi Rama ja u ka bërë të qartë të gjithë abuzuesve se do të përballen me ligjin. Degët e mbuluara nga Ministria e Drejtësisë kanë qenë dhe më problematiket. Shumë prej tyre drejtoheshin nga LSI dhe nëse shohim kallëzimet penale dominojnë burgjet, hipotekat apo përmbarimi. Por ditët e fundit Rama ka kërkuar nga ministrat e deputetët që të kujdesen që të emërohen individë profesionistë dhe me përvojë në fushat e tyre. Kështu ka ndodhur dhe me përmbaruesit e prezantuar dje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here