Klubi i madh i Premier League angleze, Mançester Junajtid, nuk e ka përfunduar ende rindërtimin e mesfushës dhe mund të marrë së shpejti dritën e gjelbër për transferimin e një prej objektivave të tij afatgjatë, Eduardo Kamavinga. Klubi nga “Old Trafford” është lidhur me shumë emra gjatë merkatos së verës, por deri tani ka shpenzuar rreth 85 milionë paund për transferimin e Andrej Santos nga Çelsia dhe Juri Tielemans nga Aston Vila. Dy marrëveshjet befasuan shumë njerëz, por trajneri Mkhael Karrik vazhdon të kërkojë përforcime të tjera në mesfushë. Largimi i Kasemiros dhe dëmtimi serioz në gju i Manuel Ugartes kanë krijuar nevojën për një tjetër lojtar cilësor në këtë repart, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se Junajtid mund të ketë mundësinë ta transferojë Kamavingën.
Sipas “Daily Mail”, Real Madridi është i gatshëm ta shqyrtojë shitjen e mesfushorit francez gjatë kësaj vere. Kamavinga, i cili është cilësuar si një prej mesfushorëve më të mirë në botë, u transferua në Madrid nga Renes në vitin 2021 për rreth 30 milionë paund. Në atë periudhë, ai kishte refuzuar interesimin e Mançester Junajtid dhe Paris SG për t’iu bashkuar klubit spanjoll. Që nga transferimi në “Santiago Bernabeu”, francezi ka zhvilluar 223 paraqitje për Real Madridin.
Megjithatë, drejtuesit e klubit tani mund ta lejojnë largimin e tij, ndërsa synojnë të sigurojnë fonde për ta përforcuar skuadrën e Hoze Murinjos për sezonin e ardhshëm. Mançester Junajtid kishte shfaqur interesim të madh edhe për Aurelien Tçuamenin. Megjithatë, mesfushori francez ka arritur marrëveshje për një kontratë të re afatgjatë me Real Madridin, duke e bërë pothuajse të pamundur largimin e tij gjatë kësaj vere. Për këtë arsye, drejtuesit e Junajtid e kanë zhvendosur vëmendjen te Kamavinga dhe raportohet se kanë zhvilluar bisedimet e para për një transferim të mundshëm. Pengesë mbetet qëndrimi i vetë 23-vjeçarit, i cili dëshiron ta bindë Murinjon gjatë fazës përgatitore dhe të vazhdojë karrierën në Madrid.
Kjo ka bërë që negociatat të mos avancojnë ende në një fazë konkrete. Real Madridi është i vetëdijshëm për talentin dhe potencialin e madh të Kamavingas. Edhe vetë futbollisti e di se shumica e transferimeve larg klubit madrilen mund të konsiderohen një hap prapa në karrierë. Kur është në formë, Kamavinga konsiderohet një nga mesfushorët më të kompletuar të brezit të tij. Pavarësisht moshës së re, ai ka përvojë të madhe në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe me kombëtaren franceze. Transferimi i tij do të përbënte një goditje të madhe për Mançester Junajtid.






































