KLSH paralajmëron kallëzim penal për kreun e Autoritetit të Rrugëve dhe 3 sekretarë të përgjithshëm ministrish, ja shkeljet

0
408

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe 3 Sekretarë të Përgjithshëm ministrish rrezikojnë të kallëzohen në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Gjatë auditiveve vite më parë, këto institucione kanë rezultuar me mjaft probleme, për të cilat KLSH kishte dhënë dhe rekomandimet për penalizmin e zyrtarëve përgjegjës, por duke qenë se deri në kontrollin e fundit masat e kërkuara nga ky institucion nuk janë ndërmarrë, atëherë ky i fundit ka vendosur të lërë një afat. Në përfundim të këtij afati, nëse këto institucione nuk do të kenë bërë sërish asnjë veprim në drejtim të këtyre rekomandimeve, atëherë KLSH do t’i drejtohet prokurorisë me kallëzim penal për personat përgjegjës, që janë Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe 3 Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, asaj për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ai i Infrastrukturës dhe Energjisë. “Rekomandimet që rezultojnë të pazbatuara nga auditimi i ushtruar “Për zbatimin e rekomandimeve të lëna në auditimet e mëparshme të 9-mujorit të vitit 2017”, do të përcillen në subjekte brenda datës 30.07. 2018. Nëse nuk merren masa, nga ana e subjekteve, për shpërblimin e dëmit, kontabilizimin dhe ndjekjen në rrugë ligjore për arkëtimin e tyre, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit, brenda muajit Shtator 2018, veprimet dhe mosveprimet nga ana e tyre, si titullarë institucionesh, do të përcillen pranë Institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat”, kërcënon KLSH.

Autoriteti Rrugor Shqiptar

KLSH thotë në një raport të tij se nga auditimi rezultoi se nga verifikimi i dokumentacionit për zbatimin e rekomandimeve konstatohet se janë rekomanduar gjithsej: Për përmirësimin e gjendjes janë lënë 7 masa organizative, të pranuara dhe të zbatuara dhe 1 në proces zbatimi; Masa për shpërblim dëmi janë lënë 7 rekomandime për shumën 41,025,862 lekë, janë pranuar dhe janë në proces zbatimi; Rekomanduar 3 masa disiplinore, nga të cilat 1 një është zbatuar dhe 2 të pazbatuara. “Për rekomandimet e pazbatuara që lidhen me masat disiplinore, kërkojmë edhe njëherë që, brenda muajit shtator 2018, Drejtori i ARRSH, të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë për secilin punonjës për mangësitë dhe shkeljet e konstatuara dhe të filloi procedurat për dhënien e masave disiplinore nga “ulje në detyrë” deri në “largim nga detyra”. Nëse, në përfundim të këtij afati, këto rekomandime do të rezultojnë përsëri të pazbatuar, KLSH do të bëjë për Drejtorin e Autoritetit Shtetëror të Rrugëve, kallëzim penal në prokurori”, thuhet në raportin e KLSH.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Nga verifikimi i dokumentacionit për zbatimin e rekomandimeve konstatohet se, janë rekomanduar gjithsej: Për përmirësimin e gjendjes janë lënë 27 masa organizative, nga të cilat 7 janë zbatuar plotësisht, janë në proces zbatimi 10, janë të pazbatuara 8, ndërsa 2 masa janë të pranuara pjesërisht dhe të zbatuara pjesërisht; Masa për shpërblim dëmi janë lënë 5 rekomandime për shumën 16,928,125 lekë dhe 150 Euro nga të cilat, nuk janë pranuar 3 dhe 2 janë në proces; Rekomanduar 1 masë disiplinore, e cila nuk është pranuar dhe nuk është zbatuar nga titullari. “Për rekomandimet e pazbatuara që lidhen me shpërblimin e dëmeve kërkojmë edhe njëherë që brenda muajit shtator 2018 të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme administrative e ligjore për të bërë të mundur kthimin e këtyre fondeve buxhetore në arkën e shtetit. Nëse, në përfundim të këtij afati, këto rekomandime do të rezultojnë përsëri të pazbatuar, KLSH do të bëjë për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kallëzim penal në prokurori”, vlerëson KLSH.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Nga verifikimi i dokumentacionit për zbatimin e rekomandimeve konstatohet se, janë rekomanduar gjithsej: Për përmirësimin e gjendjes janë lënë 22 masa organizative, nga të cilat janë zbatuar 8, pa zbatuar 4, në proces 9, pjesërisht 1 rekomandim; Për përmirësimin e gjendjes janë lënë 7 rekomandime për shpërblim dëmi, nga të cilat janë zbatuar 2, pa zbatuar 4, në proces 1; Për përmirësimin e gjendjes është lënë 1 masë disiplinore e cila nuk është zbatuar. “Për rekomandimet e pazbatuara që lidhen me shpërblimin e dëmeve, kërkojmë edhe njëherë që, brenda muajit shtator 2018, të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme administrative e ligjore për të bërë të mundur kthimin e këtyre fondeve buxhetore në arkën e shtetit. Nëse në përfundim të këtij afati, këto rekomandime do të rezultojnë përsëri të pazbatuar, KLSH do të bëjë për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kallëzim penal në prokurori”, nënvizon KLSH.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Nga ana e KLSH janë lënë 75 rekomandime gjithsej, nga këto: 8 për përmirësimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore, 45 masa organizative, 13 masa 27 zhdëmtimi, 2 masa administrative si dhe për përdorimin me eficencë dhe efektivitet të fondeve publike 7 rekomandime. Nga verifikimi i dokumentacionit konstatohet se niveli i pranimeve dhe zbatimit të rekomandimeve është si më poshtë: Për përmirësimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore 8 rekomandime, nga të cilat janë pranuar plotësisht. Nga të pranuarat janë zbatuar 0 rekomandime, në proces zbatimi 5 rekomandime dhe të pazbatuar 3 rekomandime; Për përmirësimin e gjendjes janë lënë 45 masa organizative, nga të cilat janë pranuar plotësisht 45 rekomandime, nga të pranuarat janë zbatuar plotësisht 15 rekomandime, në proces zbatimi 14 rekomandime, dhe të pa zbatuar 16 rekomandime; Janë rekomanduar 13 masa zhdëmtimi, nga të cilat janë pranuar plotësisht 13. rekomandime, nga të pranuarat janë të pazbatuar 13 rekomandime; Janë rekomanduar 2 masa administrative, nga të cilat janë pranuar plotësisht 2 rekomandime, nga të pranuarat janë në proces zbatimi 2 rekomandime; Janë rekomanduar 7 masa për përdorimin me eficencë dhe efektivitet të fondeve publike, nga të cilat janë pranuar plotësisht 2, nga të pranuarat janë në proces zbatimi 2 rekomandime dhe të pazbatuar 5 rekomandime. “Për të gjitha rekomandimet që konsiderohen në proces zbatimi të inkurajohet përshpejtimi i realizimit të plotë të tyre brenda 6-mujorit të dytë të vitit 2018, veçanërisht, arkëtimin e plotë të dëmit dëm ekonomik në vlerën 97,580,712 lekë, nga operatori ekonomik të përfituar padrejtësisht gjatë zbatimit të kontratave për rehabilitimin e “Ndërmarrjes së Prodhimit të Çeliqeve” dhe “Uzinës 12 & Ni-Co”. Për rekomandimet e pazbatuara që lidhen me shpërblimin e dëmeve, kërkojmë që brenda muajit shtator 2018, të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme administrative e ligjore për të bërë të mundur kthimin e këtyre fondeve buxhetore në arkën e shtetit. Nëse në përfundim të këtij afati, këto rekomandime do të rezultojnë përsëri të pazbatuar, KLSH do të bëjë për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kallëzim penal në prokurori”, pohon KLSH.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here