Ashpërsohet debati për ndikimin grek në Shqipëri, Tsipras pranon financimet për mediat, Kotzias flet për zgjerim territori

0
431

Zbulimi i mediave greke që gazetarë, portale, gazeta e opinionistë në Shqipëri janë pagur nga Athina ka shkaktuar debat si në Greqi ashtu dhe në vendin tonë. Debati nisi të premten, ndërkohë që ka vijuar edhe dje. Të shtunën Nikos Kotzias i dorëzoi detyrën e ministrit të Jashtëm, Aleksis Tsipras, i cili do mbajë dhe postin e kryeministrit. Por pavarësisht kësaj e gjithë vëmendja e gazetarëve ishte pikërisht te këto shpenzime që ishin bërë nga një buxhet sekret. Vetë kryeministri grek pranoi se ka një buxhet që përdoret për financime të tilla. “E kam diskutuar këtë debat që kur ishim në opozitë, në vitin 2011, kemi diskutuar për procedurën sa i përket transparencës së përdorimit të fondeve. Kemi krijuar një procedurë transparente për fondet sekrete. Nuk ka keqpërdorim të këtyre fondeve pa një firmë nga urdhëruesi, jo siç ndodhte më përpara që i shpërndanin majtas e djathtas nëpër qese të zeza. Çdo vend që respekton veten e tij e ka për detyre të përdore një politike të jashtme ku të mbështetet, Prandaj fondet sekrete janë një domosdoshmëri veçse ndokush ka kundërshtime. Debati që po behet kohet e fundit po behet në mënyrë të turpshme nga një pjesë e shtypit opozitar synon pikërisht të godasë këtë procedurë transparente”, tha ai. Deklarata e tij duket se thellon akoma dhe më tepër skandalin, pasi përveç ndikimit rus e serb, në vendin tonë po rritet ndikimi grek. Greqia ka dhënë rreth 1 milionë euro vetëm në tetor që media të caktuara dhe gazetarë të flasin pro saj dhe të mbrojnë idetë e Athinës. Ndërkohë në Shqipëri ka pasur shumë debate, pasi është kërkuar që të zbardhet se kush janë këta individë që përfitojnë para duke shitur interesat kombëtare. Përtej, kësaj dje i ka hedhur benzinë zjarrit dhe Nikos Kotzias. Pasi dorëzoi detyrën ai deklaroi se Greqia do zgjerojë territor, duke ju referuar paktit me Shqipërinë. “Është e rëndësishme një politikë zgjerimi e sovranitetit të vendit, që prej kohës kur Greqia përfshiu ishujt Dodecanese. Dekretet presidenciale janë gati”, tha ai. Në vendin tonë paktin detar e ka në dorë Ilir Meta dhe pasi ai të japë autorizimin do bëhet bilike vija e re kufitare që është dakordësuar.

Skandali i financimit

Mediat greke kanë zbardhur ditën e premte një skandal, ku akuzojnë Athinën zyrtare se kanë shpenzuar plot 1 milionë euro duke financuar portale dhe gazetarë shqiptarë. Ky lajm është bërë me dije nga gazetari grek Dhimitris Takis në gazetën elektronike “iefimerida.gr”. Fillimisht, artikullin gazetari Takis e nis me arsyen se përse janë investuar kaq para nga Athina, qëllimi i vërtetë i së cilës ka qenë sigurimi i publikimeve pozitive rreth Greqisë dhe krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe që kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë. Ndërkohë që një nga arsyet e largimit nga detyra të Kotzias, sipas medias greke, janë financimet e fshehta abuzive të kryera nga Ministria e Jashtme për media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni. Sipas asaj që raporton gazetari grek, shuma e dhënë llogaritet në 1 milionë euro. Gjithashtu, në artikull thuhet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo për financimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Po ashtu, gazetari thotë në artikull se para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here