Spartak Ngjela: Në Ballkan do ketë konflikt, Shqipëria duhet të ketë armatën e saj, gjithçka varet nga reforma në drejtësi

0
392

Avokat Spartak Ngjela ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike, duke e ndalur theksin tek ato të ditëve të fundit në Kosovë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ngjela ka përgëzuar vendimin e qeverisë së Kosovës, e cila dje vendosi ngritjen e ushtrisë me 101 vota në Parlamentin e saj. Sipas Ngjelës, ushtria kosovare i jep njohje vetë shtetit nga Serbia.

“Vetëm ushtria e Kosovës si armatë moderne dhe me 40 mijë ushtarë, i jep Kosovës njohjen nga Beogradi. Kosova sot e vendosi ngritjen e ushtrisë me 101 vota në Parlamentin e saj. Po Shqipëria? Duhet edhe Shqipëria të formojë sa më shpejt armatën e saj”, deklaroi ai.

Më tej, avokat Ngjela ka paralajmëruar se Ballkani shumë shpejt do të përfshihet nga konflikti. Sipas tij, kjo trazirë do vijë në kushtet, pasi sipas tij, si Shqipëria dhe Kosova nuk kanë ushtri. “E gjithë trazira në Ballkanin Perëndimor vjen nga fakti që të dy shtetet shqiptarë nuk kanë ushtritë e tyre. Pa ushtri nuk mund të ketë as pavarësi të sigurt dhe as politikë reale. Të dy shtetet shqiptarë janë pa ushtri. Si shpjegohet kjo? Kosova është shtet i ri dhe sigurisht që ka qenë dhe është nën suzerenitet ndërkombëtar dhe i mbrojtur nga UNMIK-u. Por ka ardhur koha e sovranitetit. Sovranitet pa ushtri kombëtare nuk mund të ketë për Kosovën. Ajo duhet ngritur sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Ndërkohë, avokat Ngjela bëri thirrje që edhe Shqipëria të marr shembull si Kosova, duke krijuar armatën e saj. Megjithatë, Ngela theksoi se gjithçka do të varte nga ecuria e reformës në drejtësi. “Edhe Shqipëria është pa armatën e saj. Si ka mundësi? Aktualisht nuk duhet të merremi me analiza: Shqipëria duhet të ngrejë menjëherë armatën e saj të kompletuar për mbrojtjen e territorit. Kohët kanë ndryshuar. Prandaj pyetja që ngrihet tani është kjo: kush do të fitojë forcën në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria e plotë etnike apo Serbia pushtuese e territoreve shqiptarë? Kjo do të varet shumë nga lidershipët që do të drejtojnë në Shqipëri menjëherë pas reformës në drejtësi. Por edhe nga armata shqiptare e kompletuar me armë moderne dhe me një ekip ushtarak profesional”, nënvizoi avokat Spartak Ngjela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here