Vepra “Dogfall” e autorit australian Caleb Lewis vjen premierë në skenë me regji nga Stefan Çapaliku. Përkthyer nga Kastriot Çipi me regji nga Çapaliku vepra teatrore në skenën e Teatrit Metropol vjen edhe në kuadër të aktiviteteve për tetorin gjerman në vendin tonë. Në role janë aktorët Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri si dhe Erion Hinaj. Mbrëmjet e datave 19 dhe 20 tetor në Metropol, por shfaqja do të vijojë dhe në skena të tjera. Skena dhe kostumet janë përgatitur nga Sadik Spahija, muzika në vepër është nga Agron Shala, koreografia nga Gjergj Prevazi. Regjisori Stefan Çapaliku tregon se do jetë një shfaqje e ashpër, e egër, por shpesh edhe lirike dhe e përzemërt. “Një dekonstruksion intensiv i luftës, sepse vetë drama e Lewis është mahnitëse, dhe e frikshme. Shfaqja do t’i shpëtojë zymtësisë totale, duke prekur ndër terrene shpesh qesharake të njerëzimit”, pohon regjisori Çapaliku. Shfaqja sipas tij gjithashtu ka nënvizuar faktin se këta burra luftojnë për të mbijetuar ndërkohë, që beteja vazhdon dhe armiku ndryshon papushim, dhe pastaj qentë fillojnë të bien. “Kemi të bëjmë me një histori ambicioze të shkruar në mënyrë të përsosur, të kontrolluar dhe të mbushur me njohuri dhe referenca. Kështu “Dogfall” i tejkalon të gjitha pritjet. Temat komplekse, karakteret simpatikë dhe një komplot absurdi e kthen dramën në një lojë të tensionuar dhe shpesh të pandërgjegjshme”, vijon të pohojë regjisori Çapaliku. “Dogfall” i bën jehonë luftës në të gjitha dimensioned antihumane dhe shtazarake të saj. Autori ka zgjedhur një vend veprimi tipik, siç është bunkeri, kjo shpellë moderne e prodhuar nga vetë njeriu për asgjësimin e shoqërisë. Bunkeri paraqitet në vepër si “atdheu” i dy ushtarëve, që më vonë bëhen tre dhe që përshkojnë së bashku njëqind vjet histori që nga fillimi i shekullit të XX e deri në fillimet e Mileniumit të tretë.
Ngjarjet në dramë
Konvencioni teatral e përcjell narracionin dramatik nga viti 1916 në betejën famëkeqe të lumit Som midis trupave franko-britanike dhe atyre gjermane, duke ndërruar shpesh e më shpesh vendet e veprimit. Dhe në këtë mënyrë ngjarjet shkojnë në Edesa të Greqisë, Nankin të Kinës, Londrën e vitit 1941 tek bombardohet nga gjermanët, në kampin e përqendrimit në Treblinka të Polonisë, në betejën e Stalingradit sovietik, në Nagasaki të Japonisë, Pnom Pen, Kuvajt, Izrael, e kështu me radhë deri te rrëzimi i kullave binjake në Nju Jork apo në kampin famëkeq të Guantanamos në ditët tona. Sipas regjisorit Stefan Çapaliku, kjo lëvizje në një hark kohor kaq të gjatë e bën veprën që të lëvizë nga një estetikë realiste drejt një substrati absurd dhe eksperimental. “Uill dhe Xhek luftojnë në një betejë të pafundme. Fatmirësisht drama përshkruan një botë të shkuar, ku nga qielli nuk bie vetëm shi, por dhe mace dhe qen; kur burrat sillen si kafshë, dhe vdekja gjendet aty. Pastaj vjen Alusha dhe papritmas bëhen tre. Ideja që vjen dhe turbullohet se kundër kujt luftojmë, pse luftojmë, kush është armiku, a me të vërtetë duhet të vrasim e kthen pjesën në një medium që prodhon pyetje të thukta ekzistenciale, për të cilat tre karakteret dramatikë, Uill, Xhek dhe Alusha nuk kanë kurrfarë mundësie që të kthejnë përgjigje”, tregon regjisori për ngjarjet në dramën premierë në skenën e Metropolit për publikun. Në pikëpamje të estetikës teatrale shfaqja “Dogfall” përpiqet ta zbërthejë në detaje titullin e pjesës, që i referohet një termi ndërkombëtar të përdorur në ndeshjet e mundjes, kur dy mundësit, bien të kapërthyer në një pozicion, prej nga nuk mund të ngrihen e të vazhdojnë më lojën. Pas skenës në Tiranë vepra do të vijojë më datë 23 tetor në Durrës, më 26 në Elbasan, më 29 në Shkodër dhe më datë 10 nëntor në qytetin e Korçës. Shfaqja është një projekt i Ambasadës Gjermane dhe asaj Franceze në Tiranë me mbështetjen e Teatrit Metropol.
Nga Julia Vrapi