Zbardhet kandidatura e parë e Metës për drejtimin e KLSH, projekton Bajram Muçajn si pasardhës të Bujar Leskajt

0
738

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka piketuar kandidaturën e parë për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të premten presidenti hapi garën për pasardhësin e Bujar Leskajt. Por gazeta ka mësuar se Ilir Meta është duke punuar në prapavijë për të hedhur në lojë disa emra të rëndësishëm. Gazeta deklaroi pak ditë më parë se deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli është një nga të preferuarit e Metës.

Mirëpo, së fundmi kreu i shtetit e ka kthyer vëmendjen tek një tjetër emër i njohur. Sipas burimeve të sigurta të gazetës “SOT”, Presidenti Meta pritet t’i propozojë Parlamentit z. Bajram Muçaj, President i Fondacionit “BESA” si kandidaturën e tij për kreun e KLSH. Bajram Muçaj është me origjinë nga Skrapari dhe duket se gëzon mbështetjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Por pavarësisht kësaj, është mazhoranca qeverisëse, ajo e cila ka në dorë votimin e kreut të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kështu që Presidentit Ilir Meta i duhet të bindë kryeministrin Edi Rama, në mënyrë që kandidatura e Muçajt, madje e cilësdo që propozon Meta, të marrë “bekimin” dhe votat e Partisë Socialiste, me qëllim zgjedhjen në krye të KLSH. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë me këtë proces dhe se cilat do të jenë kandidaturat e tjera të propozuara nga Meta. Ditën e premte Presidenti i Republikës, Ilir Meta hapi garën për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kreut aktual, Bujar Leskaj i mbaron mandati 7-vjeçar në dhjetor të këtij viti e duke qenë se ai preferoi të mos rikandidonte, kanë nisur procedurat për zëvendësimin e tij. Në faqen zyrtare të Presidencës në internet bëhet i ditur lajmi se për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit është hapur një garë, ku mund të aplikojë çdo person i interesuar që përmbush edhe disa kritere bazë. “Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 19 pika 2, 20, 21, 23 pika 1/a, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, duke qenë se mandati 7-vjeçar i qëndrimit në detyrë i z. Bujar Leskaj si Kryetar i Kontrollit të Lartë Shtetit, përfundon më datë 22 dhjetor 2018, si dhe me vullnetin për realizimin e një procesi sa më objektiv e transparent për përzgjedhjen e një kandidature me integritet të lartë moral dhe profesional të përshtatshme për këtë pozicion Kushtetues, ka vendosur”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here