Propozimi i kryeministrit Edi Rama për një paketë antishpifje ka ngjallur reagime të shumta politike. Opozita nuk e mirëpriti këtë nismë të mazhorancës, ndërsa nuk kurseu as sulmet. Sipas opozitarëve, Rama po tenton të risjellë diktaturën, duke rikthyer në jetë nenin 55. Mirëpo, shefi i ekzekutivit iu kundërpërgjigj akuzave dje përmes një postimi në rrjetet sociale. Për Ramën, ata që shpifin e shajnë janë një nivel shumë i ulët dhe nuk meritojnë të burgosen. Ai theksoi se përmes paketës antishpifje, ata që shpifin do të paguajnë një gjobë, ndërsa shtoi se një gjë e tillë aplikohet edhe nga vendet e Bashkimit Evropian. “Shpifja dënohet me burg në 25 vende të BE! Gjysmagjelit tanë të majmur nga xhepat e nga trutë,që kanë bërë karriera politike e mediatike duke sharë e akuzuar pa prova, s’meritojnë as 1 supë burgu! Ata thjesht do të paguajnë gjobën e ndotjes për çdo fëlliqësi që u jashtënxjerr goja”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Dy ditë më parë ai sqaroi se paketa antishpifje synon të ngrejë një Departament Antishpifje në Partinë Socialiste. Sipas Ramës. ky departament do të ndjekë dhe do të koordinojë ecurinë e betejës ligjore kundër shpifjes. “Në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje. I cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit”, tha Rama para dy ditësh. Ai pohoi se Këshilli i Ministrave do të diskutojë së shpejti projekt-vendimin për reagimin e detyruar ligjor ndaj shpifjes.
Sulmet e opozitës
Lëvizja Socialiste për Integrim vijoi edhe përgjatë ditës së djeshme sulmet për paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Edi Rama. Këtë herë ishte kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili i cili gjatë një konference për mediat e cilësoi nismën e Ramës si idiotësi. “Paketa antishpifje e kryeministrit Rama është një përzierje shumë e veçantë e maskarallëkut dhe idiotësisë. Është një bashkim që vetëm kryeministri i vendit, i mishëron si asnjë tjetër. Pra amalgamën midis maskarait dhe idiotit”, deklaroi Petrit Vasili. Në vijim, ai shtoi se vetë kryeministri ka shpifur disa herë për ekspertizën e audio-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm. Por sipas Vasilit, pavarësisht këtij fakti, Rama sërish nuk thirret në prokurori për tu pyetur për shpifjet e tij. “Kryeministri i Shqipërisë është paditur tre herë. Këto sigurisht nuk janë shpifje, por këto janë realitete të hidhura dhe të rënda. Së pari, kryeministri i Shqipërisë është paditur sepse i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të hedhë uniformat dhe të bëjë vota. Së dyti, kryeministri i Shqipërisë është i paditur dhe padija qëndron atje, fle ose më mirë të themi mbrohet në bunkerin e Arta Markut, pasi ai pretendoi se paska bërë verifikimin, çertifikimin dhe ekspertizën e audio përgjimit, ku implikohej vëllai i Ministrit të Brendshëm. Ka mashtruar opinionin publik duke shpifur 1000 të paqena për një ekspertizë që se ka bërë dhe që nuk ekziston, që është i lidhur me një çështje shumë të madhe që është në hetim”, tha Petrit Vasili. Më pas në rrjetet sociale, ai iu kundërpërgjigj Ramës sa i takon deklaratës së këtij të fundit se shpifja dënohet edhe në BE. “Ju thashë që është idiot. Thotë në BE shpifja dënohet me burg. Do t’i kenë thënë idiotit që Shqipëria është në BE dhe ky e lëshon si urinim të pavullnetshëm, ishalla nuk e ka këtë”, tha Petrit Vasili.
Mimoza Ibra