Përçahet PD e Tiranës, 11 degët të ndara për kandidatin në zgjedhjet vendore, përplasje për Jorida Tabakun dhe Gert Bogdanin

0
585

Zgjedhjet vendore të vitit 2019 kanë ndezur debatet brenda Partisë Demokratike. Dihet që luftën dhe vëmendjen më të madhe e ka Tirana, për të cilën PD është duke kërkuar një figurë të denjë për të rivalizuar Partinë Socialiste në zgjedhjet administrative të vitit tjetër. Prej disa ditësh në të gjithë vendin ka nisur organizimi i Partisë Demokratike, ku të gjitha degët pritet to nënshtrohen një reforme të thellë, sidomos zgjedhjen e krerëve të rinj të degëve, seksioneve dhe grup seksioneve. Ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha në udhëzimin e tij ka kërkuar që secila degë e Partisë Demokratike të propozojë kandidatët e saj, të cilët mund të nominohen në fund nga instancat më të larta të partisë si kandidatët zyrtarë të demokratëve për zgjedhjet vendore të 2019. Por gazeta ka mësuar se në Tiranë ka pasur përplasje në të 11 degët e PD, pasi nuk po gjejnë dakordësi mbi emrin që do t’i besohet gara për të përfaqësuar zyrtarisht Partinë Demokratike në garën për zgjedhjet vendore për bashkinë e kryeqytetit. Burime të sigurta të gazetës pohuan se një pjesë e madhe e këtyre degëve në të 11 njësitë e Tiranës, përfshi këtu seksionet dhe grupseksionet kanë propozuar ish-deputetin Gert Bogdani si kandidaturën e përzgjedhur nga ta, që do të donin ta shihnin në garën për këtë bashki sa i takon zgjedhjeve vendore të 2019. Mirëpo, paralele me kandidaturën e Bogdanit, ka dalë edhe një kandidaturë tjetër, që pritet të përfaqësojë PD në zgjedhjet administrative të vitit tjetër dhe që është deputetja demokrate, Jorida Tabaku. Kjo e fundit sipas burimeve mësohet se është propozuar nga disa degë të Tiranës dhe grupseksione dhe seksione.

Tabaku dhe Bogdani trazojnë kapin blu

Por hedhja në skenë e kandidaturës së deputetes Jorida Tabakut që do të rivalizojë Partinë Socialiste për Bashkinë e Tiranës ka trazuar ujërat brenda kampit blu. Sipas burimeve në disa mbledhje të degëve të Partisë Demokratike të Tiranës që janë zhvilluar këto ditët ka pasur kundërshti, ku njëra palë mbronte Bogdanin, ndërsa pala tjetër mbronte kandidaturën e Tabakut. Megjithatë, burimet thanë se çdo gjë do të qartësohet, për shkak të udhëzimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, i cili ka qenë i prerë në direktivat për vartësit e tij, duke u shprehur se kandidatura që do marrë më shumë votë, madje për të cilën do të ketë më shumë propozime nga baza, do të jetë zyrtarisht emri që do të përfaqësojë PD në zgjedhjet vendore të vitit 2019 për Tiranën. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Basha revolucion në bazë

Pas udhëzimit të shpërndarë nga Basha, degët e PD në gjithë vendin kanë hyrë në një proces riorganizimi dhe nisjen përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Gazeta ka mësuar se shumica e degëve të Partisë Demokratike, përfshi edhe seksionet dhe grupseksionet kanë hyrë në zgjedhje, me qëllim zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Por gazeta ka mësuar se kreu demokrat ka qenë i prerë në direktivat e tij, duke urdhëruar vartësit e tij që partia të pastrohet nga njerëzit e Berishës. Sipas informacioneve, Basha ka kërkuar që ata krerë degësh që janë dhe përkrahin idetë e ish-kryeministrit duhet të zëvendësohen nga besnikë të tij. Po ashtu, mësohet se Basha ka urdhëruar strukturat dhe bazën demokrate që në zgjedhje të hyjnë edhe ato degë, drejtuesit e të cilëve janë besnikë dhe të emëruar nga vetë, por që padyshim duhet që të rikonfirmohen në detyrë.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here