ONM vë në rresht organet e vetingut, Genoveva Calavera takime blic me komisionerët, ultimatum të përshpejtojnë procedurat

0
499

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit duket se në fokus kryesor ka zbatimin e procesit të vetingut me sukses në vendin tonë. Për të përmbushur këtë objektiv, vetë shefja e lartë e ONM, Genoveva Calavera ka zbarkuar në Tiranë për të dhënë ultimatumet për komisionerët e vetingut. Sipas informacioneve të gazetës, në datën 5 tetor, Calavera iu ka vajtur në zyrë kryetareve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit: Genta Tafa Bungo dhe Natasha Mulaj. Takimi është zhvilluar pas përfundimit të Ministerialit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor për çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të zhvilluar tek Pallati i Kongreseve në datat 4 dhe 5 tetor sepse e pranishme në takimin e ONM me komisionerët e vetingut ishte edhe Komisionerja për Çështjet e Drejtësisë, Vera Jourova.

Burimet i thanë gazetës se Calavera i ka organizuar këto takime blic për tu informuar në detaje për ecurinë e reformës në drejtësi. Shefja e lartë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ka kërkuar që komisionet e vetingut të përshpejtojnë ritmet e punës me qëllim që procesi i rivlerësimit për gjyqtarët e prokurorët të mbyllet sa më shpejt e të mos ketë asnjë zvarritje. Një tjetër pikë ku Genoveva Calavera e ka ndalur theksin kanë qenë edhe emrat e korruptuar të drejtësisë. Ajo jua ka bërë të qartë komisionerëve të vetingut dhe vetë kryetareve të KPK dhe KPA se nuk duhet të ketë asnjë tolerim, pavarësisht se për kë bëhet fjalë e sa i rëndësishëm është posti i tij. Calavera ka dhënë ultimatum që lupa e vetingut të skanojë me rigorozitet të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët pa asnjë përjashtim. Madje ajo ka theksuar se të gjitha seancat dëgjimore do të vijojnë të ndiqen me kujdes të madh nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe në ato raste kur konstatohen shkelje apo raste të dyshimta, ndërhyrja do të jetë e menjëhershme.

Ky është një paralajmërim i qartë për komisionerët e vetingut, por nga ana tjetër Calavera ka ofruar edhe të gjithë mbështetjen e nevojshme për organet e vetingut me qëllim që reforma në drejtësi të ecë në rrugën e duhur. Kujtojmë që deri tani vëzhguesit e ONM kanë ndjekur çdo hap të hedhur nga KPK dhe KPA. Madje nuk kanë qenë të pakta rastet kur në momentet që ONN ka dyshuar, nuk është shprehur dakord me vendimet e KPK dhe ka kërkuar shkarkimin e disa gjyqtarëve a prokurorëve. Rastet më flagrante kur ONM ka rekomanduar ankimime tek Komisionerët Publikë kanë qenë ato për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Zero tolerancë për shkeljet

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dha një mesazh të qartë pak kohë më parë gjatë një prononcimi për mediat, duke deklaruar se nuk do të lejohet asnjë përpjekje për të influencuar procesin e vetingut. “ONM mendon se procesi i vetingut po zhvillohet brenda kuadrit ligjor dhe bazuar në zbatimin e parashikimeve ligjore. ONM do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces. Çdo përpjekje për të influencuar procesin e vetingut, ose përpjekje për të intimiduar punën e institucioneve të vetingut, nuk do të tolerohen. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së analizojnë çdo dosje të vetingut. Kur në këndvështrimin dhe opinionin e tyre ekziston nevoja për të apeluar raste të caktuara, ata do t’i rekomandojnë Komisionerit Publik për ta bërë një gjë të tillë, ashtu siç ka ndodhur. Bazuar në nenin 65, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit të Vetingut, është në kompetencë të Komisionerit Publik të vendosë nëse do ndjekë ose jo rekomandimin. ONM beson se trupa e Apelit do të rishikojë tërësisht të gjitha çështjet që shqyrton”, tha ONM./ Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here