Mbrojtja më e dobët ndër vite, me këtë ritëm Tirana bie sërish nga kategoria

0
536

Tirana po përjeton një krizë të fortë loje e rezultati, duke mos dalë aspak në lartësinë e kërkuar e të pretenduar prej drejtuesve të klubit, por njëherësh, duke futur në ankth edhe tifozerinë e mrekullueshme bardheblu, e cila po sheh që skuadra nuk ka asgjë në vijë dhe është larg pritshmërive të saj. E gjendur në vendin e tetë të renditjes, me tetë pikë pas tetë javësh garë, duke lënë pas vetëm Luftëtarin me 6 pikë dhe Kastriotin me 4 pikë, Tirana është në pozitat e mbijetesës këtë sezon. Janë tetë javë garë që vërtetojnë se bardheblutë nuk kanë forcën e duhur për të mposhtur jo rivalët për titull, por as skuadrat që janë të fundit të tabelës.

Dy fitore, dy barazime e katër humbje në tetë ndeshje të luajtura janë dëshmi e qartë se Tirana ka një ecuri skandaloze, aspak sipas parashikimeve dhe me këtë ritëm rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria. Një pikë për ndeshje është tregues mjaft i dobët, një koefiçient që nuk lë vend për interpretime optimiste e pozitive, sepse me këtë ritëm, pra një pikë për ndeshje, në fund të sezonit skuadra bie automatikisht nga kategoria. Në dy edicionet e shkuara, kanë rënë ekipe nga kategoria që kishin edhe 40 pikë, ku vetë Tirana dy sezone më parë kishte 39 pikë kur ra nga kategoria në një duel direkt me Vllazninë. Edhe kjo e fundit kishte 40 pikë kur ra edicionin e shkuar nga Superiorja. E thënë ndryshme, me formulën aktuale të kampionatit, ku ka katër faza me nga nëntë ndeshje secila, një grup duhet të marrë të paktën 1.3 pikë të mbijetojë në rast ekstrem në kategori, por që të jetë i sigurt duhet të marrë mbi 1.5 pikë për ndeshje.

Tirana nuk i ka këto shifra, prandaj është e rrezikuar të rrëshqasë në zonën e ftohtë të renditjes e të vihet në pozita mbijetese në fund të edicionit. Kjo Tiranë nuk ka petk kampioni, kjo është mëse e qartë, dhe detyra e saj në vijim të kampionatit do të jetë të sigurojë pikët e mjaftueshme për të qëndruar në kategori dhe e shumta të rivalizojë në kupë me shpresën se mund ta fitojë këtë trofe e të marrë pjesë në Europa League në sezonin pasardhës. Kampionatin aktualisht e kryeson Partizani me 19 pikë, 11 pikë më shumë se Tirana rivale e një qyteti, të cilën e ka mundur dhe në derbi. Natyrisht, kampionati është i gjatë dhe ka edhe tri faza të tjera me ndeshje direkte, pra klubet kanë mundësi të rikuperojnë e gara është e hapur për titull për të gjitha ekipet, por Tirana nuk ka grupin bindës që mund ta ndryshojë këtë situatë. Golavarazhi është një tregues mjaft domethënës se ku çalon Tirana.

Ka shënuar tetë gola dhe ka pësuar dhjetë të tillë. Kjo dëshmon më së miri se Tirana nuk ka mbrojtje efikase dhe mbrojtja po e merr në qafë skuadrën. Reparti difensiv nuk është i organizuar dhe qendërmbrojtja është katastrofë. Pësimi i golave me lehtësi është një nga pikat më të dobëta të Tiranës. Nga ana tjetër, mesfusha, edhe pse me lojtarë të mirë, nuk bën aspak diferencë ndaj rivalëve dhe nuk ia ka dalë të mposhtë me përjashtim të Kastriotit asnjë skuadër tjetër. Në sulm është një Blazhevski, por nuk mjafton. Për më tepër maqedonasi nuk është aq efikas sa pritej dhe me të drejtë tifozët janë të irrituar. Sulm të dobët ka dhe Partizani i vendit të parë, me vetëm 9 gola të shënuar, por Partizani ka pësuar vetëm një gol deri tani, pikërisht në ndeshjen e diskutuar të javës së parë kundër Skënderbeut.

Pra Partizani ka mbrojtjen më të mirë dhe nuk pëson humbje, prandaj është në vend të parë. Tirana, një skuadër që pretendonte gjatë merkatos së verës se ka bërë blerje të fuqishme dhe ka ndërtuar një superskuadër, rezulton tani të jetë një “flluskë sapuni”, pasi në tetë javë ndodhet në vend të tetë, me vetëm tetë pikë dhe shumë larg asaj që dëshirojnë tifozët. Madje Tirana rrezikon të bjerë sërish në Kategorinë e Parë dhe kjo do të ishte e pafalshme për klubin, lojtarët dhe drejtuesit, përfshi dhe presidentin Refik Halili./ Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here