Është zbardhur sot një pjesë e dëshmisë së Albert Veliut, i ashtuquajturi “Dëshmitari X” apo “Babalja” ndaj të cilit prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm kufiri. Veliu ose i njohur ndryshe si “Babalja” ishte personi që regjistroi
Në dëshminë që ka zbardhur “BalkanWeb”, Veliu tregon takimet me Agron Xhafaj dhe se si ranë dakord për ta ndihmuar të kalonte drogë në Itali. Ndërkohë në dëshmi, Veliu thotë se aparaturat për kryerjen e përgjimit ia kishin dhënë dy punonjës të SHISH me të cilët kishte pasur komunikim deri në intervistën e dhënë në selinë e PD.
“E mora Agron Xhafaj në telefon. Nuk e mbaj mend datën por ishte 4 ditë para se të binin shirat e mëdha në Vlorë rreth orës 11-12. E lamë të takoheshim po atë ditë tek Bar 2 P*** Agronin e gjeta atje me dy vetë, Ermalin dhe Altinin. I kam kërkuar ndihmë Agronit që të dilte garant tek Altini dhe Ermali që ata krahas transportit të sasive të tjera me kanabis të shtetasve të tjerë, të merrnin dhe një sasi prej tij”, ka dëshmuar Veliu në prokurori.
Dokumenti Prokuroria BabaleMë pas ai ka treguar se Agroni i kishte thënë në tavolinë se do ta njoftonte ai kur dhe ku do të shkonte tek Ermali.
“Të nesërmen janë takuar sërish në një hotel tjetër dhe i ka kërkuar Agronit 3 mijë euro dhe ai ia ka dhënë. Drogën që do e blinte do e çonte tek Plazhin i Vjetër afër Zvërnecit por rruga nuk u bë pasi u prish moti. Për këtë e kishte njoftuar Agroni. Ditën tjetër ka shkuar dhe ka takuar Agronin dhe i ka kthyer 3 mijë eurot që i kishte marrë borxh. Më pas takimet kanë qenë sporadike dhe të rastësishme me Veliut dhe Agron Xhafajt.
Albert Veliu ka folur dhe për aktivitetin e mëparshëm kriminal në Itali, ku pranon se ishte marrë me shpërndarje droge dhe me këtë aktivitet sipas tij ishte marrë dhe Agroni, i cili në 2002 ishte kapur me një grup 7-8 persona. Veliu është kapur në fund të vitit 2007. Sipas tij, i gjithë grupi prej 12 personash furnizohej me lëndë narkotike nga një person i thirrur ‘kaçubja’. Ky person sipas Albertit ishte lidhje e drejtpërdrejt me Agronin.
Alberti ka deklaruar se për shkak të mosinteresimit të Agronit kur ai ra në burg në Itali vendosi të hakmerrej”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bashkëngjitur kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal.
Më tej në dëshminë e dhënë në Prokurori, Veliaj kishte deklaruar se kishte kërkuar bashkëpunimin me SHISH dhe kishte ardhur në Tiranë, ku ishte takuar me një person, të cilin e kishte vënë në dijeni sa kishte ndodhur e si kishte ndodhur.
“Më pas, rreth gjashtë ditë përpara realizimit të përgjimit, kishin ardhur në Vlorë një grup prej dy vetësh. Njëri prej tyre e kishte mbiemrin Bendo, por emri nuk i kujtohej.
Më pas kishin ardhur dy persona të tjerë që kishin punuar me Albertin për realizimin e këtij përgjimi. Gjithsej, sipas Albertit, ishin kryer 3 përgjime. Njëri në makinë kur ai kishte folur nëpërmjet telefonit të tij me Agronin dhe dy të tjerë ambientale. Në përgjimin e parë ambiental ai ishte pajisur me një pajisje përgjuese të futur në një stilolaps.
Këtë stilolaps e kishte futur në xhepin e brendshëm të anës së djathtë të një xhupi të zi. Me këtë pajisje ishte takuar vetëm për vetëm me Agronin, në një disko të gjendur afër tunelit në zonën e Ujit të Ftohtë. Kishte biseduar me të për rreth 30 minuta por përgjuesin e kishte fikur pas 10 minutash pasi biseda që po zhvillohej më pas nuk kishte interes.
Ky përgjim kishte dalë me shumë zhurmë për shkak të ambientit me muzikë dhe cilësisë së aparatit përgjues. Përgjimi i dytë ambiental ishte ai që është publikuar në media. Për këtë përgjim ishte pajisur nga personeli i SHISH me një pajisje përgjuese me pamjen e një çelësi pult automjeti ‘Audi’. Përgjuesi e fillonte funksionimin në mënyrë mekanike duke shtypur butonin e pultit me shenjës e hapjes së automjetit. Në momentin kur hynte në funksion përgjuesi jepte një dridhje.
Përgjuesi pushonte së funksionari nëpërmjet po të njëjtit buton dhe në momentin kur pushonte jepte dridhje. Sipas Albertit, pas realizimit të përgjimit, mjetin përgjues ia kishte dorëzuar punonjësit të SHISH, i cili e kishte pajisur me të. Grupi i SHISH përbëhej nga dy persona, ku njeri komandonte. Ky grup ishte i pajisur me aparatura vëzhguese dhe përgjuese”, thuhet në kërkesën e prokurorisë pë dëshminë e Albert Veliut.
Më tej, ‘dëshmitari X’ ka deklaruar se materialin audio, të cilin e kishte regjistruar ia kishte dorëzuar këtyre punonjësve dhe vetë nuk kishte mbajtur kopje. “Kur e kishte parë materialin të publikuar në media, ishte ndjerë i çuditur e i tradhtuar, pasi ai nuk kishte publikuar asnjë lloj materiali dhe nuk kishte disponuar kopje të tij.
Në momentin e publikimit të materialit përgjues, sipas Albertit ai kishte qenë duke pirë një kafe me një shokun e tij të quajtur Edmond Hyseni, në zonën e Plazhit të Vjetër. Në atë moment, e kishte telefonuar i biti, i cili i kishte thënë që kishte dalë në televizor. Të nesërmen, në celularin e Edmond Hysenit, e kishte telefonuar Agroni, nga një numër të cilin nuk e mban mend, i cili i kishte thënë: ‘Do të të zhduk ty me gjithë familjen tënde’”, ka dëshmuar Veliu.
I pyetur rreth publikimit të një materiali audio-video, në datë 17.05.2018, ku paraqitej në një intervistë, duke folur rreth kësaj ngjarjeje, shtetasi Albert Veliu ka deklaruar se biseda ishte zhvilluar në të gdhirë data 17.05.2018, rreth orës 03:00, në një dhomë të gjendur në selinë qendrore të Partisë Demokratike, shkruan prokuroria.
“Personi që kreu intervistimin e që i dëgjohej zëri, por nuk i shfaqej figura, ishte i njëjti person, punonjës i SHISH, i cili kishte ardhur herën e parë në Vlorë, i shoqëruar me personin e memorizuar prej tij me mbiemër Bendo, intervista ishte regjistruar me anë të një kamere të vogël, të vendosur në trekëmbësh të pozicionuar përpara tij. Sipas Albertit, ai kishte ardhur në Tiranë në datën 15.05.2018, rreth orës 13:30 të mesditës dhe kishte qëndruar në një hotel. Rreth orës 17:30, i kishte telefonuar punonjësit të SHISH, që i kishte dhënë intervistën më pas nëpërmjet celularit të tij me numër 069***. Rreth orës 18:00, ai ishte takuar me të në një lokal, ku i kishte kërkuar llogari se përse ia kishin publikuar përgjimin dhe ai i kishte thënë se nuk e kishte idenë se si kishte ndodhur. Me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë kishte kontaktuar, duke i paraqitur vullnetarisht dhe personalisht në sportelin e selisë së saj, në dalën16.05.2018, rreth orës 15. Aty kishte kontaktuar me një sekretar, të cilit nuk ia kishte marrë vesh emrin.
Me të kishte komunikuar për rreth 30 minuta, ku e kishin lënë të takoheshin sërish në orën 02:50 të mëngjesit, të datës 17.05.2018. në këtë orë, ishte takuar sërish me këtë person, i cili e kishte shoqëruar në një dhomë në katin e dytë të selisë së Partisë Demokratike. Atje kishte regjistruar intervistën e bërë publike”, thuhet më tej.