Kiço Londo rikthen në teatër Roza Anagnostin me dramën “Oskari dhe tezja Rozë”

0
536

“Oskari dhe tezja Rozë” vepër e autorit Eric-Emmanuel Schmitt vjen premierë në skenën e teatrit me regji nga Kiço Londo. Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” kjo vepër teatrore rikthen në skenë dhe aktoren e njohur Roza Anagnosti. Rolet e tjera në vepër regjisori Londo ia ka besuar aktorëve Franc Bregu, Françeska Hysi dhe Juxhin Plovishti. Vepra vjen në skenë mbrëmjet e datave 13 dhe 14 tetor për publikun, dramatizim nga Chris Simion-Mercurian, përkthyer nga Kopi Kyçyku, skenograf Najson Topi dhe kostumografe Klaudia Ndreshaj. Në vepër tregohet Oskar, një djali i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve sepse vuan nga leuçemia. As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen e tij. Por ja ku shfaqet teze Roza, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, por që fillon të bisedojë me të drejtpërdrejt. Për ta argëtuar pak Oskarin, Roza i propozon një lojë të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vjet.

Në këtë mënyrë ajo i ofron mundësinë të jetojë gjithë jetën për disa ditë. “Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori do të në bëjë të kuptojmë që nuk jemi të përjetshëm dhe duhet të meritojmë dhe gëzojmë çdo moment të jetës”, thuhet në materialin për shfaqjen teatrore. Tezja Rozë i këshillon gjithashtu t’i shkruajë Zotit, për t’u ndier më mirë. Edhe pse nuk beson vërtet në Zot, ai fillon t’i shkruajë letra dhe t’i kërkojë çdo ditë nga një dëshirë të plotësuar. Në letrat për Zotin, Oskarin flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e tij të parë, kohën që kalon. Në këtë premierë as/regjisor është Marsel Greva dhe Kleard Gërmenji. Këtë herë vepra e autorit të njohur Eric-Emmanuel Schmitt në skenën me aktoren njohur Roza Anagnosti vjen në vijim të bashkëpunimeve që regjisori Londo ka në shfaqjet e teatrit. Edhe më parë aktorja e njohur Roza Anagnosti ka qenë në vepra të Teatrit Eksperimental. Jo vetëm në skenën e teatrit me role nga më të ndryshmet, por në aktivitetin e saj artistik me filmin aktorja Roza Anagnosti është një nga emrat e vlerësuar.

Aktiviteti i Schmitt

Eric-Emmanuel Schmitt lindi në mars të vitit 1960. Kreu shkollën e mesme në Lycee du Parc në Lion të Francës dhe më pas ndoqi studimet e larta në Paris (1980-1985). Është dramaturg, romancier, eseist dhe kineast. Brenda një dhjetëvjeçari, Eric-Emmanuel Schmitt është bërë një nga autorët frankofonë më të lexuar e më të pranishëm në botë. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në teatër, ai botoi një sërë romanesh dhe përmbledhje novelash. I vlerësuar sa nga publiku po aq edhe nga kritika, pjesët e tij teatrale janë nderuar me shumë çmime “Molier” si dhe e gjithë vepra e tij teatrale është vlerësuar me “Grand Prix” (për teatrin) nga Akademia Franceze. Schmitt është vlerësuar gjithashtu me çmimin “Goncourt” (për novela) për “Concerto a la memoire d’un ange”, çmimin e romanit historik “Agrippa d’Aubigne” për romanin “Gruaja në pasqyrë”; me çmimin e “Grands Espaces” për librin “Odiseja nga Bagdadi” etj. Veprat e tij janë përkthyer tashmë në 43 gjuhë të ndryshme dhe pjesët e tij teatrale luhen rregullisht në mbi 50 vende. Në Akademinë Mbretërore të Gjuhës dhe të Letërsisë Franceze në Belgjikë, ai është ulur në kolltukun që dikur zinte Colette dhe Cocteau.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here