Deputetët përfitime nga të gjitha anët, 1 milion euro shkojnë çdo vit vetëm për karburant, telefona e dieta, ja sa bonuse ka marrë secili

    0
    539

    Deputetët e Republikës së Shqipërisë kanë përfitime të shumta nga posti i tyre. Gazeta “SOT” iu drejtua me një shkresë Kuvendit për të zbardhur shifrat e bonuseve të deputetëve nga buxheti i shtetit. Ajo që bie në sy është fakti se pothuajse secili përfaqësues i popullit i shfrytëzon maksimalisht benefitet që ka, pavarësisht rrogës së lartë që marrin, e cila arrin mesatarisht në mbi 25 milionë lekë në vit. Ligji “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve” përcakton marrëdhëniet financiare të deputetëve me Kuvendin, ku sqarohet se secili emër ka të drejtë të përfitojë një shumë të caktuar për kompensimin e karburantit, për komunikimet telefonike dhe për dieta. Sipas përllogaritjeve të bëra nga gazeta, vetëm gjatë periudhës shtator 2017-gusht 2018 nga buxheti i shtetit janë harxhuar plot 1 milion euro për kompensimet e deputetëve.

    Konkretisht, 46.156.618 lekë kanë shkuar për karburant; 24.598.615 lekë për telefon ndërsa 59.879.242 lekë për dieta. Për të qenë më specifik, gjatë periudhës shtator-dhjetor 2017 janë harxhuar 15.992.993 lekë në total për karburant; 8.015.847 lekë në total për telefon dhe 28.534.808 lekë në total për dieta. Ndërsa gjatë pjesës së dytë të vitit, janar-gusht 2018, janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 30.163.685 lekë në total për karburant; 16.582.768 lekë në total për telefon dhe 39.344.434 lekë për dieta. Sipas ligjit, Kuvendi mbulon shpenzimet telefonike për deputetët për vlerën mujore 17.000 lekësh. Po ashtu në ligj thuhet se deputeti përfiton dieta për ditët e shërbimit brenda vendit në masën 4% të pagës bazë dhe vlerë hoteli deri në 3.000 lekë nata. Ata deputetë të Tiranës të cilët duhet të kryejnë detyrime jashtë Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj, ndërsa ata emra që nuk jetojnë në kryeqytet, përfitojnë dieta ditore deri në 12 ditë në muaj.

    Përfitimet për secilin emër

    Por sa ka përfituar secili emër nga buxheti i shtetit për karburante, telefon dhe dieta? Albana Vokshi ka përfituar 210.112 lekë karburant, 160.000 lekë telefon dhe 276.528 lekë dieta; Aldo Bumçi është rimbursuara me 238.245 lekë për karburant, 136.000 lekë për telefon dhe 263.375 lekë për dieta; Anastas Angjeli ka përfituar 235.914 lekë karburant, 136.000 lekë telefon dhe 238.292 lekë dieta; Besnik Bare- 210.112 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 263.375 lekë dieta; Dashamir Shehi: 210.112 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 225.750 lekë dieta; Edmond Spaho: 235.914 lekë karburant, 160.000 lekë telefon, 302.862 lekë dieta; Erjon Braçe: 280.000 lekë karburant, 160.000 lekë telefon, 276.528 lekë dieta, etj. Mes emrave bie në sy sesi ka deputetë që për dieta kanë përfituar shifra të larta.

    Nga PD përmendim: Fatbardha Kadiu- 218.498 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta; Izmira Ulqinaku- 280.000 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta, etj. Nga LSI janë: Lefter Koka: 218.498 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta; Vangjel Tavo: 280.000 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta. Ndërsa nga PS përmendim: Adelina Rista: 576.918 lekë dieta, 280.000 lekë karburant, 136.000 lekë telefon; Evis Kushi- 235.914 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta, etj. Rimbursime të larta për dieta kanë edhe shumë deputetë të tjerë të cilët janë pothuajse të panjohur për publikun: Viktor Tushaj 526.750 lekë dieta; Vilma Bello 526.750 lekë dieta; Tatiana Piro Nurçe 526.750 lekë dieta; Lorenc Luka- 280.000 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta; Nuri Belba- 235.914 lekë karburant, 136.000 lekë telefon, 526.750 lekë dieta, etj./ Mimoza IBRA

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here