‘’Përplasja ka qenë shokuese”. Pas deklaratave të forta në emision, thirret në komisariat deputeti i PD

0
410

Thirret në komisariatin e policisë, deputeti i PD, Luçiano Boçi. Sipas burimeve nga PD deputeti është thirrur në komisariat menjëherë pas intervistës në emisionin e mëngjesit, ku deklaroi se policia ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve dhe banorëve, të cilët protestonin për rihapjen e shkollës 9-vjeçare në Mengël. Në shenjë revolte, banorët bllokuan aksin kombëtar Elbasan-Librazhd.

Deputeti tha në emision se  protesta e banorëve është për një kauzë fisnike, siç është dija dhe arsimimi, dhe se ata janë lënë në mëshirë të fatit nga të gjitha institucionet.

‘’Përplasja ka qenë shokuese, prindërit nuk kanë pranuar që fëmijët të shkojnë në Elbasan, pasi kushtet kanë qenë shumë të këqija, 100 fëmijë udhëtonin me një autobus. Prindërit kërkojnë që të ndërtohet një shkollë e re në armatën e shkollës ekzistuese, dhe komuniteti me të drejtë e sheh si një ruajtje e vlerave dhe e memories të këtij komuniteti. Banorët janë lënë që të lodhen, me mendimin se një ditë do të lodhen dhe nuk do të dalin më në rrugë. Ne duhet të falënderojmë ata banorë për sensibilizimin që kanë pasur për këtë çështje pasi na kanë treguar se çfarë do të thotë të jesh dhe të veprosh si një komunitet”, u shpreh Boçi.

Banorët kërkojnë rihapjen e shkollës që është dëmtuar nga një tërmet një vit më parë. Ministria e Arsimit vendosi të mbyllë shkollën, për të shmangur rikonstruksionin, ndërkohë që 200 nxënësve u është siguruar transporti për në shkollat e Elbasanit. Gjithsesi, familjarët janë shprehur kundër këtij vendimi, pasi udhëtimi drejt Elbasanit është i gjatë dhe ata nuk duan që fëmijët e tyre t’i kenë aq larg shtëpisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here