24-vjeçarja u gjet e vetëvarur në Tiranë, të afërmit thonë se…

0
461

Vajza 24-vjeçare që u gjet e vetëvarur nga familjarët e saj mesditën e djeshme në Tiranë, shtetasja me iniciale E.Y., nga Mallakastra dyshohet të jetë vetëvrarë në kushtet e depresionit, e rënduar edhe nga gjendja e vështirë ekonomike.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:20, prapa pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Policia është lajmëruar nga familjarët e viktimës dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.2.

Burimet thanë se, pasi është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe nga ekzaminimet paraprake të mjekëve ligjorë, dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje. Ndërsa, sipas të afërmve të viktimës, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkaqe depresioni.

24-vjeçarja kishte mbaruar studimet e larta në Tiranë, ndërsa nuk kishte arritur të gjente punë në profesionin e saj. Prej pak kohësh ajo kishte filluar punë në një “Call Center”, në kryeqytet, por ndërkohë familja e saj jetonte në kushte të vështira ekonomike, që kanë sjellë shqetësime edhe te 24-vjeçarja, e cila së fundmi kishte shfaqur probleme me depresionin.

Megjithatë, nuk dihet nëse merrte apo jo mjekim për këtë problem.

“Më datë 02.10.2018, rreth orës 11:20, mbrapa pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’, dyshohet të jetë vetëvarur shtetasja E.Y., 24 vjeçe, lindur në Mallakastër dhe banuese në Tiranë. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, po punohet për sqarim të mëtejshëm të rrethanave”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e kryeqytetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here