Ministrat e Jashtëm të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë e Kroacisë mbështesin çeljen e negociatave, mision në Tiranë

    0
    370

    Vendet e Bashkimit Europian vijojnë të mbështesin negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Këtë radhë në Neë York u takuan ministrat e jashtëm të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë e Kroacisë në cilësinë e katër vendeve ballkanike anëtare në Union. Në takim kryediplomatët ranë dakord të vizitojnë Shqipërinë për të ndihmuar në procesin e bisedimeve. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

    “Ne sapo përfunduam mbledhjen e katër shteteve të Ballkanit që janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Ramë dakord për të forcuar bashkëpunimin tonë para së gjithash për të stabilizuar rajonin tonë. Planifikojmë që deri në fund të vitit që të katërt të vizitojmë Shqipërinë dhe Maqedoninë veriore për të parë se si mund t’i ndihmojmë ata në qasjen e tyre evropiane”, deklaroi ndër të tjera ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

    Ndërkohë gazeta mësoi se në Neë York në kuadër të punimeve të asamblesë së OKB pritet dhe një takim dypalësh mes ministrit për Europën dhe Punët e jashtme, Ditmir Bushati me homologun grek Nikos Kotzias. Mësohet se në fokus të diskutimit mes dy diplomatëve do të jenë marrëveshja e detit dhe integrimi europian i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Më herët, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias gjatë një takimi me homologun gjerman Heiko Maas, deklaroi hapur se është Meta ai që ka bllokuar paktin dhe dërgoi një mesazh të qartë që të mos ketë vonesa.

    “Ne i bëmë negociatat me Shqipërinë. Dhe siç e dini, tani janë bllokuar jo nga ne, as nga Ministria e Jashtme atje, por në problemet administrative që kanë, në mospajtimin e presidentit të vendit fqinj me qeverinë. Dhe në faktin se Gjykata Kushtetuese në këto momente nuk ka kuorumin e plotë për të funksionuar plotësisht”, tha Kotzias në një prononcim të shkurtër për shtyp. Megjithatë, sipas mediave greke, ka qenë vetë ministri gjerman ai i cili ka kërkuar në takim që të mos ketë vonesa në zgjidhjen e konflikteve me fqinjët. Por gazeta ka mësuar se në takimin që Maas ka pasur me Metën të mërkurën, është diskutuar dhe për këtë çështje. Ai ka kërkuar që të mos ketë vonesa. Pra duket se Presidenti Ilir Meta është nën presionin e ndërkombëtarëve.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here