Shqipëria, borxh të lartë. “Moody’s” konfirmon notën B1 me perspektivë të qëndrueshme

0
478

Pak ditë para se qeveria të marrë 500 milionë euro hua në tregjet ndërkombëtare, gjiganti amerikan “Moody’s” ka konfirmuar notën B1 për borxhin publik të Shqipërisë, duke e cilësuar atë me perspektivë të qëndrueshme.

Në raportin që pritet të shërbejë si pikë referimi për investitorët në ankandin e Eurobondit, “Moody’s” ka bërë një skanim të hollësishëm të ekonomisë shqiptare.

“Vlerësimi B1 për borxhin shqiptar mbështetet nga progresi i dukshëm i vendit në forcimin e institucioneve. Për më tepër, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të mbetet solide, rreth nivelit 4 për qind, edhe gjatë dy viteve të ardhshme”.

Por, veç pikave të forta, gjiganti ndërkombëtar i vlerësimeve financiare ka listuar edhe dobësitë, që kushtëzojnë financat publike.

“Borxhi publik ishte mbi 70 për qind e prodhimit kombëtar në vitin 2017. Ky nivel mbetet më i lartë se vendet e tjera të ngjashme. Megjithatë, pritshmëritë janë që borxhi i qeverisë shqiptare të ulet nga viti në vit”.

Borxhi publik i Shqipërisë arriti kulmin në vitin 2015, kur kërceu në 73.7 për qind e prodhimit kombëtar. Pas 2015-s, borxhi ka ardhur në rënie dhe për këtë vit pritet të zbresë në 68.9 për qind.

“Moody’s” thotë se ulja e mëtejshme e borxhit dhe vazhdimi i progresit në forcimin e institucioneve do të çonte në përmirësimin e notës për financat publike të Shqipërisë. Ndërsa, nëse qeveria do të devijojë nga politika e uljes së borxhit, atëherë vlerësimi do të përkeqësohej.

Vlerësimet e kompanive të “rating”-ut shërbejnë si pikat kryesore të referimit për investitorët e huaj, që investojnë në borxhin e qeverive. Këto vlerësime kanë një ndikim përcaktues, jo vetëm në aftësinë e vendeve për siguruar financim në tregjet ndërkombëtare, por edhe në normën e ineteresit me të cilin merret borxhi.

Nota B1 me prespektivë të qëndrueshme është vlerësimi më i mirë që ka pasur Shqipëria. Por, sërish, ky vlerësim mbetet dukshëm më i ulët nga ai i vendeve të zhvilluara, por edhe ekonomive të ngjashme, që e kanë borxhin më të ulët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here