“Muzeu lëvizës”, në ditën e trashëgimisë kulturore

0
512

Projekti “Muzeu lëvizës” vjen në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore”. Projekti zhvillohet nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në Bashkinë e Tiranës, më datë 28 shtator. Një autobus i zakonshëm do të shndërrohet në një ekspozitë, ku nxënësit e shkollave të zonave rurale të Tiranës do të njihen me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare. Ekspozita e “Muzeut lëvizës” përmban riprodhime objektesh nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike. Midis tyre mund të gjejmë vazo nga antikiteti, objekte kulti, vegla muzikore, kostume popullore etj.

“Ky aktivitet synon përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës artistike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet këtij projekti synohet që, koleksioni të bëhet i njohur për një publik më të gjerë, për të bërë një lidhje më domethënëse me objektin, në të njëjtën kohë duke kontribuar në forcimin e identitetit të muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, bën me dije MHK.

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin. Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here