Abramoviç “shet” Çelsin, amerikanët s’mund ta blejnë më pak se 3.3 mld euro

0
566

Çelsi ka prej shumë vitesh që shfaqet si një prej skuadrave më të forta në botë dhe kjo falë investimeve të fuqishme që ka bërë manjati rus Roman Abramoviç. Bëhet fjalë për investime të fuqishme që e kanë shndërruar Çelsin në një superfuqi në futboll, ku ka fituar disa tituj kampion në Angli, si dhe një trofe të UEFA Champions League. Natyrisht, Çelsi ka provuar shumë trajnerë dhe enë gjirin e tij kanë luajtur shumë lojtarë cilësorë gjatë këtyre viteve, pasi filozofia e Abramoviçit ishte të krijonte një superklub që fiton në nivelet më të larta. Nga ana tjetër, manjati rus ia ka dalë të krijojë një profil të lartë të klubit, si një nga më të pasurit jo vetëm në Premier League angleze, por në dhjetëshen e parë në botë, duke e radhitur krahas klubeve të fuqishme si Mançester Junajtid, Real, Barcelona, Juventus etj. Pra Çelsi i Abramoviç u rrit në vlerë dhe vetë manjati rus, i ka vënë një çmim marramendës për ata që janë të interesuar ta blejnë atë. Në fakt, flitet prej muajsh se Roman Abramoviç ka vendosur të shesë ekipin e Çelsit. Pavarësisht se, shpeshherë ka pasur kundërshtime, duket se manjati rus i ka vendosur një çmim klubit, i cili mendohet të jetë 3 miliardë paundë. Në rast se ndryshimi i pronësisë do të ndodhë me këtë çmim, do të thyente rekordin e shitjes më të shtrenjtë të një skuadre sportive në histori. Flitet se Abramoviç do të kërkojë ndihmën e një kompanie amerikane, Raine Group LLC, me bazë në Nju Jork, për të bërë të mundur lehtësimin e tratativave. Sipas mediave amerikane, 51-vjeçari ka filluar të ristrukturojë asetet e tij, në mënyrë që t’i mbrojë prej masave të mundshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet përmendur fakti se Çelsi arriti në nivele të larta, qoftë nga ana ekonomike, por dhe ajo sportive, pasi manjati rus mori kontrollin e ekipit. Mbetet për t’u parë nëse kësaj radhe zërat do të jenë të vërtetë e Abramoviç do të shesë klubin ku është pronar që prej vitit 2003. Aktualisht, Çelsi e ka nisur më së miri kampionatin anglez, duke marrë pesë fitore e një barazim në gjashtë javët e para. Ndeshja e ardhshme për blutë do të jetë kundër Liverpulit në “Stamford Bridge”. Sa i takon objektivave, Çelsi është një prej ekipeve pretendente këtë sezon për të fituar titullin në Premier League dhe pas gjashtë javëve të para ndodhet në pozita mjaft të mira, pasi ka fituar 5 ndeshje dhe barazuar në një tjetër, duke grumbulluar 16 pikë, po kaq sa Mançester Siti që ndodhet në kuotë të njëjtë pikësh dhe ndajnë vendet 2 dhe 3 në renditjen e kampionatit anglez. Natyrisht, vendin e parë e mban Liverpuli, i cili ka siguruar pikë të plota në 6 ndeshje të zhvilluara, pra 18 pikë dhe një hap para rivalëve Siti e Çelsi. Nën drejtimin e Mauricio Sarrit, Çelsi shpreson të fitojë duelin direkt me Liverpulin dhe të marrë pse jo kryesimin e Premier League duke nisur nga kjo fundjavë. Sigurisht, loja spektakolare që aplikon tekniku italian Sarri, krejt ndryshe nga loja difensive që aplikonte bashkëpatrioti i tij Antonio Konte, i pëlqen jashtë mase presidentit Abramoviç, por dalja në skenë e mundësisë së shitjes së klubit tek miliarderët amerikanë, ka sjellë një lloj habie dhe dileme tek të gjithë blutë e Londrës.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here