Zbardhet raporti i Ramës për socialistët, kryeministri i pakënaqur me punën e Kodhelit, Bushatit dhe Çuçit në bazë, ministrat në test deri në dhjetor

    0
    412

    Kryeministri Edi Rama, vijon të jetë i pakënaqur me punën e deputetëve, bazës dhe ministrave sa i takon angazhimit të marrë më 25 qershor 2017. PS arrti të fitojë e vetme përballë PD e LSI, por kjo nuk është cilësuar e mjaftueshme nga shefi i qeverisë, i cili ka futur në një proces riorganizimi bazën socialiste. Me dhjetra krerë degësh do të largohen, ndërkohë që reforma pritet të prekë dhe koordinatorët. Kryeministri ka përcaktuar që vite më parë nga një përgjegjës për secilin qark dhe në shumë raste nuk i ka kursyer kritikat ndaj tyre. Kryefjala e mazhorancës dhe qeverisë gjatë muajve të fundit ka qenë procesi i bashkëqeverisjes. Deputetët e ministrat nisën një tur takimesh në vend, ndërkohë që janë hapur zyra bashkëqeverisjeje dhe po ashtu është hapur portali “Shqipëria që Duam”. Mbi bazë të angazhimit në këtë proces do përcaktohen dhe ndryshimet në qeveri, por dhe fati i shumë krerëve të bashkive, krerëve të degëve dhe koordinatorëve të PS. Gazeta ka siguruar raportin janar-gusht të platformës “shqipëriaqëduam.al” dhe ajo që bie në sy është se ka dallime të shumta nga njëri qytet në tjetrin sa i takon angazhimit të qytetarëve aty. Rama ka ngarkuar deputetët, degët dhe kryebashkiakët që të hapi sa më shumë zyra dhe të rrisin pjesëmarrjen në portal. Por nga statistikat rezulton se në total janë hapur 72 zyra të bashkëqeverisjes, ndërsa janë regjistruar plot 27.136 persona. Por ajo që bie në sy është se në 5 qytete, ka pasur një numër shumë të ulët pjesëmarrësish. Niveli më i ulët shënohet në Kukës, ku i janë drejtuar platformës vetëm 604 persona. Përgjegjëse e këtij qarku është Mimi Kodheli. Qarku i dytë është ai i Shkodrës. Edhe pse është një qark shumë i madh, ka pasur vetëm 893 persona që janë regjistruar. Koordinator është ministri Ditmir Bushati. Qarku i tretë është Gjirokastra me 1.608 të regjistruar dhe aty përgjegjës është Bledi Çuçi. Ndërkohë në fund vijnë Lezha dhe Berati me 1.713 dhe 1.745 persona që i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes. Koordinator në këto zona janë Lindita Nikolla dhe Blendi Klosi. Sipas informacioneve, kryeministri ka mbetur i pakënaqur me punën e tyre dhe mësohet se si në Asamblenë dhe Kryesinë e mbajtur në fillim të muajit u ka dhënë ultimatum të qartë që të zbresin në bazë dhe të punojnë më shumë, pasi do ketë pasoja. Po ashtu në këtë zona penalizim do të ketë dhe për krerët e degëve. Sipas raportit, më të suksesshmit kanë qenë Ruçi, Gjylameti dhe Balla. Mësohet se ky raport ndodhet në zyrën e kryeministrit Rama dhe të gjithë janë në monitorim.

    Në sitë edhe ministrat

    Ndonëse kryeministri Edi Rama nuk bëri asnjë ndryshim qeverie në Asamblenë e 7 shtatorit, mësohet se ai ja u ka bërë të qartë se kjo nuk do të thotë se tashmë e kanë vendin të sigurt. Burime të besuara të gazetës mësuan se kryeministri ja u ka bërë të ditur se ata që nuk përmbushin misionin mund të largohen në çdo kohë. I njëjti mesazh ka vajtur dhe për deputetët dhe për bazën socialiste, ku të gjithë e dinë se kush nuk punon si duhet, do penalizohet. Por gazeta ka mësuar se testi më i madh i të gjithë ministrave do të jetë në dhjetor. Rama u dërgoi të gjithëve nga një dosje me detyra që duhet të realizohen, sidomos sa i takon përmbushjes së kushteve të BE. Për këtë arsye, të gjithë kanë afat deri në fund të vitit të përmbushin pritshmëritë, pasi ndryshe do ta largohen. Sipas informacioneve, në dhjetor në Tiranë do të vijnë përfaqësues të BE dhe raportuesit për Shqipërinë, ku do të mbahet një takim ndërqeveritar dhe secili ministër do të duhet të përcaktojë përmbushjen e kushteve. Theksi është reforma në drejtësi dhe përgjegjësia më e madhe do jetë te ministrat që kanë të bëjnë me këtë fushë. Por deri në dhjetor të gjithë do jenë në ankth, pasi e dinë se Rama është njeri i surprizave dhe ndryshimet në qeveri mund të vijnë kur askush nuk e pret.

    /Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here