Teatri i Metropolit sjell 5 vepra nga arkivi i dramaturgjisë shqipe në festivalin “Metrofest”

0
644

Janë pesë vepra premiera shqiptare që do të vijnë për publikun në skenën e Teatrit Metropol gjatë zhvillimit të festivalit “Metrofest”. Veprat janë të autorëve shqiptarë dhe prej ditësh kanë angazhuar regjisorët dhe aktorët për ti sjellë premierat në skenën e teatrit gjatë sezonit të dytë artistik. Por edhe pse festivali teatro “Metrofest” pritet të nisë në ditët e muajit tetor, pranë teatrit bëhet me dije se sezoni i dytë artistik shtator-dhjetor sjell larmi veprash, shqiptare të shpluhurosura nga arkivi, por vepra të njohura në mbarë botën, duke përfshirë në këto projekte aktor karriere apo aktor të rinj, regjisor me eksperiencë apo regjisor me potencial të ri artistik.   Teatri Metropol në ditët e para të muajit tetor do të nisi edicionin e dytë të festivalit të dramës shqipe “Metrofest”, dhe për institucionin është një festival, i cili pas suksesit të vitit të kaluar, kësaj here shtrihet në dy javë aktivitete. Drejtoresha Jonida Beqo në një reagim të saj është shprehur se të pesta premierat teatrore, që priten të vijnë në skenë janë produksione ekskluzive të institucionit. “Ashtu si në edicionin e parë, edhe sivjet Teatri Metropol, i dedikohet njohjes dhe vënies në skenë të dramaturgjisë shqiptare. Qëllimisht ky festival nuk ka natyrë konkurruese, por e vë theksin tek laboratori i punës me veprën shqiptare. Të pesë premierat e këtij edicioni janë produksione ekskluzive të Metropolit, duke afruar profesionistë të teatrit nga të gjitha brezat për të hulumtuar dhe për t’i dhënë frymë dramës shqipe në skenë, afër publikut”, bën me dije Jonida Beqo drejtoresha e Teatrit Metropol. Ky edicion i “Metrofest” sjell pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi, përmendim “Rrajtë që lëvizin” nga Ernest Koliqi, “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi, “Prangat” nga autori Halil Laze. Gjithashtu netët e këtij festivali do të ndërthuren dhe me aktivitetet të tjera alternative.

Festivali dhe sezoni

Ky festival është menduar të nxisë punën e re dhe kërkimin artistik të fuqive krijuese që duan të mbështesin gjallimin e veprave shqiptare dhe takimin e tyre me publikun e gjerë në një frymëmarrje të përbashkët. E para vepër teatrore, që çeli këtë festival të dramës shqipe një vit më parë ishte ajo me titull “Loja e Mbasdrekës” shkruar nga Martin Camaj, që erdhi në skenë me regji nga Shkëlzen Berisha. Dy veprat e tjera ajo me titull “I biri i Begut” e autorit Milo Duçi me regji nga Joana Omeraj dhe “Armiqtë” vepër e autorit Shpëtim Gina me regji nga Xhulio Brisku, gjithashtu u ngjitën në skenë në ditët e festivalit “Metrofest”. Sezoni i ri në Metropol do të vijoj më tej gjatë muajit nëntor me “Ditari i Ana Frank” i autorëve Frances Goodrich dhe Albert Hackett dhe “Sherlock Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludwing vepër që do të vihet në skenë në fund të vitit. Aktualisht për këto dy vepra Teatri Metropol ka shpallur audicione për aktor/ aktore, që do të interpretojnë në këto dy vepra. Në statistikat e teatrit bëhet me dije se gjashtë mujorin e parë të këtij viti, Teatri Metropol pati një rritje të ndjeshme në numrin e spektatorëve me rreth 13 mijë spektator. “Flasim këtu vetëm për shfaqjet teatrore për të rritur, fëmijë, e të rinj, nuk përfshihen në këtë shifër festivali ndërkombëtar për fëmijë, kampet verore. Ndërkohë Ansambli Tirana në koncertet dhe aktivitetet e tij jashtë ambienteve të teatrit ka arritur shifrën 5500 spektator, përgjatë gjysmës së parë të vitit” bën me dije institucioni.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here