Saimir Vishaj: Thelbi i vetingut në politikë duhet të jetë pasuria, verifikimi të shtrihet deri në brezin e 3, po anashkalohet dekriminalizimi

0
433

Propozimi disa ditëve më parë i opozitës për të shtrirë procesin e vetingut edhe në fushën e politikës bëri bujë të madhe. Fillimisht u mendua se ky proces do të ishte një veting i mirëfilltë siç po ndodh momentalisht me gjyqtarët e prokurorët, ku në skaner do të kalonin edhe figura, edhe pasuria e deputetëve të Parlamentit. Por më pas nga përfaqësuesit e opozitës u artikulua se bëhej fjalë për një dekriminalizim të dytë, ku politikanët që kanë lidhje me krimin, duhet të largohen. Por për avokatin Saimir Vishaj, kaq nuk mjafton. Gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “SOT” ditën e djeshme, Vishaj deklaroi se nëse duam që politika të pastrohet, atëherë në procesin e vetingut duhet të përfshihen edhe familjarët, edhe pasuritë e politikanëve. Madje ai kërkoi që verifikimi i pasurisë së deputetëve të shkojë deri tek brezi i tretë i familjarëve të tyre. “Patjetër që vetingu në politikë duhet të përfshijë edhe pasurinë, edhe familjarët e politikanëve. Ndryshe nuk ka kuptim procesi i vetingut pa rrethin e subjekteve. Rrethi i tyre shkon deri tek brezi i dytë a brezi i tretë. Në rast se një politikan i fsheh paratë duke ia dhënë vëllait, motrës apo babait, atëherë çfarë do t’i zbulojmë përmes procesit të vetingut?”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë. Duke qenë se sipas opozitarëve, propozimi i tyre ka të bëjë me një thellim të dekriminalizimit, për Saimir Vishajn vetingu në politikë nuk duhet ta anashkalojë këtë ligj të votuar e të miratuar nga vetë deputetët. Sipas tij, ligji i dekriminalizimit tashmë ka dhënë mjaft rezultate, duke lënë të nënkuptohet se nuk është i nevojshëm një thellim i këtij ligji. “Për mua vetingu në politikë nuk mund të anashkalojë dekriminalizimin. Dekriminalizimi është një ligj i miratuar nga të gjitha forcat politike dhe ka dhënë efekt, duke përjashtuar disa deputetë, të cilët vetë e kishin miratuar dhe vetë u dogjën nga ai. Madje janë pesë a gjashtë raste në të cilat vetë deputetët janë larguar nga Parlamenti shqiptar”, deklaroi Saimir Vishaj. Kujtojmë që edhe juristi Genc Gjokutaj tha pak ditë më parë për gazetën se vetingu i politikanëve duhet të bëhet duke përfshirë edhe familjarët e pasuritë e tyre. Ndërsa avokati Sokol Hazizaj, në të njëjtën linjë me Saimir Vishajn, theksoi para pak ditësh se lidhjet me krimin mund të zgjidhen edhe përmes ligjeve aktuale.

Vetingu në drejtësi

E ndërsa diskutohet për vetingun në politikë, nga ana tjetër duket sikur vetingu në drejtësi është futur në “ngërç”. Prej disa ditësh, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk po zhvillon asnjë seancë dëgjimore me subjektet e rivlerësimit. Me nisjen e sezonit të ri, KPK ka zhvilluar deri tani vetëm një seancë dëgjimore me prokurorin Bujar Hoti, i cili u shkarkua. Avokati Saimir Vishaj argumentoi dje për gazetën se një “heshtje” e tillë nga ana e KPK mund të vijë për shkak të volumit të lartë të punës që kanë me zbardhjen e vendimeve të plota për subjektet që kanë kaluar në sitë. “Besoj se ngecja e vetingut në sistemin e drejtësisë mund të vijë edhe nga volumi i zbardhjes së vendimeve. Gjatë muajit korrik pati një ngarkesë shumë të madhe dhe mund të merren me zbardhjen e vendimeve, me qëllim që më pas t’iu lindë e drejta subjekteve për ankimim. Sepse subjektet që kanë kaluar tashmë në sitën e vetingut, nuk mund të ankimojnë pa u zbardhur vendimi. Madje do të thosha që ky është momenti që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po ia kushton zbardhjes së vendimeve, po merret me ta. Nuk janë pak, por janë rreth 50”, tha Saimir Vishaj.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here