Google search engine
Home Sport Nga Muçi te Shpendi, ja kuqezinjtë që spikatën më shumë në fundjavë

Nga Muçi te Shpendi, ja kuqezinjtë që spikatën më shumë në fundjavë

0
21

Shqipëria do të luajë me Finlandën dhe Bjellorusinë në mes të këtij muaji dhe trajnerit Maran i duhen në dispozicion lojtarë që janë në formë dhe që kanë minutazh të plotë me skuadrat e tyre në ligat e ndryshme europiane. Padyshim që kampionati italian dhe ai turk janë dy qendrat e rëndësishme ku duhet kërkuar kontigjenti që do të angazhohet në fushë për dy ndeshjet e rëndësishme në Ligën e Kombeve.

Por si paraqitet forma e kuqezinjve në këtë periudhë? Futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet jashtë vendit kanë vijuar të spikasin me skuadrat e tyre, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë javë futbollistike. Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë, me një gol dhe një asist, ndërsa Kristian Shpendi dhe Indrit Tuci realizuan gjithashtu për ekipet e tyre. Ernest Muçi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë me Trabzonsporin në kampionatin turk. Sulmuesi shqiptar kontribuoi fillimisht me një asist në fundin e pjesës së parë, duke ndihmuar skuadrën të kalonte në avantazh ndaj Gaziantepit.

Në minutën e 61-të, Muçi realizoi edhe një gol spektakolar nga distanca, duke vulosur fitoren 2-0 të Trabzonsporit. Me këtë kontribut, futbollisti shqiptar shkon në kuotën e tre golave dhe gjashtë asisteve në kampionat këtë sezon. “Ylli” i Kombëtares po shkëlqen në Turqi ku çdo detaj përbën lajm.

Një detaj interesant është edhe minuta e 61-të, kur Muçi tundi rrjetën. Mesfushori me tipare sulmuese u bë lojtari i parë që gjen golin në atë minutë, që nga shtatori i vitit 2023 në Superligën turke. Asokohe ishte Edin Viska që shënonte për Beshiktashin. I veçantë është edhe fakti i numrit 61, që përkon me kodin e targës së qytetit të Trabzonit. Nga tifozët përdoret si simbol identifikues. Entuziazmi i golit pushtoi tifozët që ishin të shumtë në stadium. Deri tani janë pesë fitore në po kaq ndeshje në shtëpi për Trabzonin.

Shpendi dhe Tuci, kuqezinjtë që ia bënë “bam” në rrjetat kundërshtare

Në Itali, Kristian Shpendi vazhdon të konfirmojë formën e mirë me fanellën e Çezenës. Sulmuesi shqiptar realizoi golin e barazimit në transfertën ndaj Sudtirol, duke dërguar topin në rrjetë në minutën e 65-të. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Shpendi regjistron tashmë tetë gola në 10 ndeshje të luajtura në kampionat. Ndërkohë, një gol me peshë të veçantë realizoi edhe Indrit Tuci në kampionatin slloven.

Sulmuesi shqiptar u bë protagonist në derbin mes Mariborit dhe Olimpija Ljubljanës, duke shënuar në pjesën e dytë golin që vendosi fatin e kësaj përballjeje. Me këtë realizim, Tuci ngjitet në kuotën e katër golave në kampionat këtë sezon. Përveç futbollistëve që spikatën me gola dhe asiste, edhe një numër i konsiderueshëm lojtarësh të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre në kampionatet përkatëse.

 Nga minuta e parë e nisën Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Stavro Pilo, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Taulant Seferi, Sabah Kerjota dhe Rei Manaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here