Kuvendi ka miratuar me 88 vota projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, me mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe komuniteteve joserbe.
Pika e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Nga 89 deputetët e pranishëm, një deputet nuk ka marrë pjesë në votim.
Ndryshimet e miratuara ligjore rregullojnë çështje që lidhen me mbrojtjen juridike, mbështetjen financiare dhe dinjitetin e ish-krerëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Votimi i ligjit erdhi pas marrëveshjes së arritur në orët e vona mes krerëve të partive politike dhe nën presionin e protestave që u zhvilluan para ndërtesës së Kuvendit, ku qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta kërkuan miratimin e tij para përmbylljes së afateve kushtetuese.







































