Nën akuzën se ka spiunuar për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), analisti Fatmir Sheholli është marrë dje i pandehur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit. Sipas aktakuzës, ai mblidhte informacione për institucionet e Kosovës dhe ua përcillte zyrtarëve të shërbimit sekret serb. Dosja është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa Sheholli vijon të mbahet në paraburgim.
Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Dosja prej 80 faqesh e Prokurorisë, e publikuar nga mediat në Kosovë, pretendon se Sheholli vepronte nën urdhrat e Bojan Dimiqit, i identifikuar si zyrtar i lartë i BIA-s. Sipas aktakuzës, më 26 shtator 2025 ai udhëtoi drejt Mitrovicës së Veriut, ku mori nga një person i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte bisedash të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si edhe 5 mijë euro si shpërblim për kryerjen e detyrës.
Shtini n’gji’ i tha ai gruas së tij me të marrë paratë. Prokuroria pretendon se këto materiale ishin të destinuara për komprometimin e zyrtarëve të kësaj ministrie dhe për të ndikuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas aktakuzës, Sheholli më pas ia dorëzoi materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro, duke i dhënë edhe udhëzime për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”, vetëm pak ditë para votimit. Por e dhëna kryesore për aktivitetin e analistit erdhi nga celulari i tij.
Në të Prokuroria Speciale e Kosovës gjeti edhe një dokument të shënuar ‘Top Secret2’ ku shpalosej një plan për përhapjen e radikalizimit fetar në Kosovë dhe rajon. Synimi i këtij skenari, sipas Prokurorisë, ishte ndërtimi i një narrative negative për Kosovën, nxitja e migrimit dhe ndikimi në qëndrimet e shteteve perëndimore ndaj saj. Një zhvillim i tillë, sipas Prokurorisë do të shërbente për të krijuar kushtet e ndryshimit të qëndrimit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe rikthimit të saj nën juridiksionin e Serbisë.
“Duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do t’i ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi” shkruhet në dokumentin ‘Top Secret’ të cilit i referohen mediat në Kosovë.
Rekrutimi i Kurtit
Në aktakuzë, tregohet gjithashtu se në telefonin e të akuzuarit Sheholli është gjetur një dokument i emërtuar “Leptiri”, i cili ishte përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitin 2001 dhe i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e tashmë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë. Me anë të atij materiali, synohej ushtrimi i presionit ndaj Kurtit për bashkëpunim me RDB-në.
“Nga analiza e dëshmisë Z#4.1, përkatësisht dokumentit të emërtuar ‘Leptiri’, të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, rezulton se bëhet fjalë për një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë.
Nga analizimi i komunikimeve të nxjerra nga telefoni i të pandehurit rezulton se ai e ka përcjellë këtë dokument te persona të ndryshëm, si dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe. Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.
Sheholli këtë dokument, sipas aktakuzës dhe siç ka pretenduar, ia ka dërguar “Milazim Gashit, një mikut tim i cili është në SHISH të Shqipërisë me emrin Dritan Gjoni, shef i SHISH-it në Durrës, ja ka dërguar Blerim Canajt dhe një personi me emrin Bashkim Pushkolli, por nuk jam i sigurt a ia kam dërguar”. Bazuar në komunikimin në Facebook, Sheholli ia ka dërguar dokumentin Canajt më 26 mars të vitit 2024.
“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet mes tjerash në aktakuzë në pjesën ku flitet për Kurtin. Më tej thuhet se kjo dëshmi e sekuestruar nga Sheholli është dokument i nënshkruar nga shefi i sektorit III të Sigurimit Shtetëror Serb (RDB).
Shantazhi
Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh. Sipas aktakuzës, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ai ka shantazhuar biznesmenin nga Podujeva, Arben Jetullahu, pronar i kompanisë “ABC”, duke i kërkuar mbi 13 mijë euro në emër të një huaje. Prokuroria pretendon se ai e kishte kërcënuar se, nëse nuk i jepte paratë, do të publikonte në media video dhe informacione që do t’i dëmtonin reputacionin dhe autoritetin. Sheholli u arrestua në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh.
Në atë kohë, Prokuroria Speciale nuk dha detaje për objektin e hetimit, por ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, la të kuptohej se dyshimet lidhen me Serbinë, duke deklaruar se Sheholli kishte bashkëpunuar me persona që, sipas tij, punojnë për të minuar Republikën e Kosovës. Rasti i tij është një nga disa hetimet e autoriteteve kosovare për dyshime për spiunazh në favor të Serbisë. Më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vite burg për spiunazh, ndërsa Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po gjykohen gjithashtu për akuza të ngjashme.








































