Ulja e pazakontë e nivelit të ujit në lumin Danub ka nxjerrë në sipërfaqe mbetje të errëta të historisë së Evropës. Pas një periudhe të gjatë temperaturash të larta dhe thatësire, dhjetëra anije luftarake gjermane të fundosura gjatë Luftës së Dytë Botërore janë shfaqur sërish mbi ujë.
Në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë, kanë dalë në sipërfaqe anije, të cilat në kushte normale duhet të ishin nën ujë. Disa prej mjeteve lundruese vijojnë të jenë pjesërisht të fundosura, ndërsa besohet se disa prej tyre mund të kenë ende armë dhe municione në bord.
Anijet besohet se janë pjesë e flotës së Gjermanisë naziste në Detin e Zi. Në vitin 1944, ndërsa Ushtria e Kuqe përparonte drejt perëndimit, forcat gjermane fundosën qëllimisht një numër të madh anijesh luftarake në përpjekje për të ngadalësuar avancimin sovjetik.
Sipas historianëve, deri në 200 anije luftarake gjermane u fundosën në këtë mënyrë në shtator të vitit 1944, rreth tetë muaj përpara kapitullimit të Gjermanisë naziste në maj të vitit 1945.
anija e hitlerit1
Nuk është hera e parë që rënia e nivelit të Danubit zbulon këto mbetje. Gjatë periudhave të mëparshme të thatësirës, disa prej anijeve janë shfaqur sërish, për t’u mbuluar nga uji pasi niveli i lumit është rritur.
Autoritetet serbe kanë ndërmarrë edhe më parë përpjekje për largimin e disa prej anijeve të fundosura. Megjithatë, operacionet janë të vështira dhe të rrezikshme, pasi disa prej tyre dyshohet se përmbajnë ende eksplozivë dhe municione.








































