Mediat në Shqipëri publikuan lajmin se Eric Wendt, kandidati i nominuar për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka marrë një votë pozitive në Senatin amerikan, duke kaluar një nga etapat procedurale drejt konfirmimit të tij në këtë detyrë. Sipas tyre, Senati ka miratuar një rezolutë procedurale që lejon shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane në Kalendarin Ekzekutiv, ku përfshihet edhe kandidatura e Wendt për postin e ambasadorit në Tiranë.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar gazetari Robert Papa, i cili sqaron se deri më tani nuk ka pasur një votim përfundimtar në Senat dhe se procedura ndodhet ende në një fazë paraprake. Sipas tij, kalimi në komision përbën vetëm hapin e parë të procesit, ndërsa kandidatura duhet të futet në kalendarin e Senatit dhe më pas do t’i nënshtrohet votimit me “po” ose “jo”. Ai shpjegon se është miratuar vetëm një rezolutë procedurale që lejon votimin në bllok të rreth 74 emërimeve të administratës Trump, ku përfshihet edhe emri i Wendt. Papa thekson se procesi mund të bllokohet edhe nga një senator demokrat, duke kujtuar rastin e David Kostelancik, kandidatura e të cilit mbeti e bllokuar për një periudhë të gjatë. Sipas gazetarit, votimi duhet të zhvillohet para se Senati amerikan të ndërpresë punimet për pushimet verore. Nëse kjo nuk ndodh dhe senatorët largohen pa e miratuar paketën e emërimeve, atëherë procesi rrezikon të futet në një fazë të re pasigurie.
Ai shpjegon se, pas rikthimit nga pushimet, fokusi i Senatit do të jetë te zgjedhjet e mesmandatit dhe nëse procedura nuk mbyllet brenda këtij sesioni, ekziston mundësia që ajo të mos përfundojë fare. Në një skenar të tillë, në janar Departamenti i Shtetit do të duhet ta nisë procesin nga e para, duke ia ridërguar presidentit kandidaturën, e cila më pas duhet të kalojë sërish në komisionet e Senatit.
Informacionet e Robert Papës nga SHBA
“Nuk është votuar ambasadori amerikan ende. Për të gjithë të diturit ju them që kalimi në komision është hapi i parë. Duhet futur në kalendar në Senat dhe në Senat votimi është “yes/no”. Ka kaluar një rezolutë që ky votim të ndodhë në bllok. Rreth 74 emërime të munguara të presidentit Trump. Mjafton një senator demokrat të vërë një bllokim “on hold”, ndodh si dy vjet më parë kur për një vit rresht Kostelancik, një deputet klasi, karriere, nuk u votua. Kapitenin, thonjëza, ose ish-gjenerali e ka provuar këtë në vitin 2020 kur e donin ambasador në Katar. Nuk kaloi, nuk u votuan. Nuk them se i ka humbur shpresat të votohet.
Mund të votohet në bllok më 5 gusht, por siç ma tha ambasadori Bolton që mos e merrni personale për Shqipërinë sepse Departamenti i Shtetit është në kaos. Janë rreth 90 poste ambasadorësh të zbrazëta. Nuk kanë në Serbi, nuk ka në Kosovë, nuk kanë në Mal të Zi, nuk kanë Maqedoni, nuk kanë Bullgari, është një këmbëzbuluar në Greqi, ka në Itali dhe Trumpi ka shkatërruar atë rregullsinë e emërimeve politike dhe të karrierës. Emërimet politike janë ata që kanë bërë donacione me miliona dollarë, jo se janë politikanë, pra nuk janë të karrierës dhe nuk duhet të shkojmë më shumë se 10 deri në 20%. Trump deri tani 90% i ka emërime në thonjëza politike. Pra, kush ka 10 milionë dollarë në donacione shpërblehet.
Gjenerali që vjen, që do të vijë, që shpreson të votohet në Shqipëri, nuk ka bërë donacion, por si duket ka kontakte me njerëz afër presidentit, me grupe financiare, të cilët kërkojnë që në Shqipëri të jetë një ish-gjeneral, të cilin donin ta kishin më parë në Katar. Ai duhet të jetë i ndikuar nga grupe që janë afër Trumpit, që mund të jenë edhe jodashamirëse me çështjen tonë të madhe shqiptare, por fundi i fundit si një ish-gjeneral ai të paktën nuk do të bjerë në nivelin e Yuri Kim. Ka një integritet dhe dinjitet. Në qoftë se nuk kalon në 5 gusht dhe senati ikën me pushime, fillon një dilemë sepse mbas kthimit të senatit mendja është tek votimet e mesmandatit në nëntor, dhe në qoftë se largqoftë mesmandati ndryshon, pra senati humbet, edhe pse gjasat janë që senati të mbahet, bie çdo gjë.
Dhe në janar është i detyruar Departamenti ta dërgojë përsëri emrin presidentit dhe presidenti t’i kalojë komisionet, se është një burokraci që në këtë rast tregon që ndaj nesh nuk ka një vlerësim. Por për herë të parë kemi një emërim që nuk është emërim karriere, por emërim politik.”






































