Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat e fundit qytetare që po zhvillohen kundër qeverisë për çështjen e Zvërnecit. Sipas Ngjelës, kjo revoltë popullore tregoi vlerën e vërtetë të shqiptarëve dhe dëshmoi se shoqëria po zgjohet kundrejt dështimeve të pushtetit. Ai theksoi se një rini e shkëlqyer me stil tërësisht evropian arriti të sfidojë hapur dy liderët e vjetër, Edi Ramën dhe Sali Berishën. Për avokatin, është naivitet politik që kryeministri kërkon ende të gjejë se kush fshihet pas organizimit, në vend që të dëgjojë kërkesat e drejta të popullit.
Ngjela e cilësoi kryeministrin si një “skllav të instinktit mesjetar për pushtet” që nuk e kupton dot mendimin modern demokratik. Në analizën e tij, kjo lëvizje e re artistike dhe e avancuar u dha një mesazh të qartë të dy krerëve të partive të mëdha se koha e tyre historike ka mbaruar. Por përtej pamjes publike, në prapaskenë po qarkullon një intrigë e madhe që ka futur në panik zyrat e Ramës dhe Berishës. Flitet se ky organizim i rinisë me mendim perëndimor po monitorohet me shumë interes dhe po mbështetet në heshtje nga qarqe të fuqishme ndërkombëtare. Kjo lëvizje e re po thyen kodet e vjetra të lojës, duke bërë që skenarët e zakonshëm të tensionit artificial mes dy liderëve të dështojnë plotësisht.
Ky zgjim i shoqërisë civile për mbrojtjen e Zvërnecit po shihet si fillimi i një goditjeje fatale për të dy të “mykurit” e politikës shqiptare. “Shqipëria dhe shqiptarët sot treguan vlerën e tyre në atë që ata zhvilluan si protestë. Një rini e shkëlqyer qe i sfidoi të dy të mykurit edhe Ramën, edhe Berishë. Dhe kjo në fakt ishte një shenjë historike e brezit të ri, të kulturuar dhe me stil tërësisht evropian. Dhe kjo protestë sot i sfidoi të dy kryetarët e partive të mëdha në Shqipëri, sepse protestuesit e një stili artistik e shumë të avancuar, u thanë Saliut e Ramës: Kujdes se kjo nuk është koha juaj historike, por është koha jone: si mendim, si stil dhe si një shqiptari elokuente dhe krejtësisht si përfaqësuese e denjë e popullit shqiptar; si kohë moderne, si mendim perëndimor dhe si një atdhedashuri e një kohe të re dhe evropiane”, shkruan Ngjela.
Ngjela: Rama, një skllav i instinktit mesjetar për pushtet
Ndërkohë, në një tjetër reagim të fortë në rrjetet sociale, avokat Spartak Ngjela ka lëshuar akuza të rënda, duke thënë se kryeministri Edi Rama mbetet krejtësisht jashtë mendimit modern të lirisë demokratike. Sipas Ngjelës, kreu i qeverisë po dëshmon se është ende i mbërthyer brenda psikikës politike të ish-të majtës ekstreme në Shqipëri. Juristi i njohur e konsideroi një nivel të ulët të intelektit politik dhe naivitet faktin që kryeministri kërkon me ngulm të zbulojë se kush fshihet pas organizimit të demonstratës së fundit në Tiranë.
Për avokatin, në qytetërimin e sotëm nuk ka rëndësi se nga transmetohet apo kush e thërret një tubim, por vendimtare është nëse kërkesa e popullit është e drejtë apo jo. Ai shtoi se çdo lider i iluminuar duhet të kuptojë se shtysat e vërteta të protestave janë thjesht pakënaqësitë e thella shoqërore ndaj drejtimit të tij politik. Në mbyllje të analizës së tij, Ngjela paralajmëroi se një kryeministër që nuk e pranon këtë logjikë, nuk njeh demokracinë, por sillet si një skllav i instinktit mesjetar për pushtet. “Kryeministri Edi Rama ende është jashtë mendimit modern të lirisë demokratike.
Dhe po kuptohet se ai është ende brenda psikikës politike të ish së majtës ekstreme në Shqipëri. Sepse… Është naivitet për një kryeministër që kërkon të gjejë e të përcaktojë se kush na paska qenë pas tubimit të fundit të demonstratës popullore që u pozicionua kundër tij në Tiranë, para disa ditësh. (!) Një nivel i ulët i intelektit politik është ky, ngaqë askush nuk pyet sot në këtë qytetërim se kush i organizon protestat, sepse ideja ose motivi i një tubimi shoqëror apo mitingu kundër një kryeministri, nuk ka rëndësi nga është transmetuar, por a është apo nuk është e drejtë kërkesa që tubimi shoqëror po bën?? Sepse, kryesorja që duhet ta dijë një kryeministër për një tubim kundër tij, është ideja moderne e kësaj pyetjeje: cila shtysë politike është ajo që e shtyn një shoqëri në miting apo në një goditje popullore kundër një kryeministri? A është kjo një pakënaqësi shoqërore për drejtimit politik, që një shoqëri po ka kundrejt kryeministrit, i cili aktualisht po drejton shtetin e tyre?! Dhe këtu, te kjo pyetje mbyllet çdo diskutim; kurse kuptohet se, kryeministri që nuk e ka këtë arsye, nuk është politikan i iluminuar që e njeh demokracinë, por është vetëm një skllav i instinktit të tij mesjetar për pushtet”, nënvizoi Ngjela.







































