Asllani, Laçi e Gjimshiti, ja si u vlerësuan kuqezinjtë në Champions League

0
23

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po kalojnë momente të mira në këtë sezon me klubet e tyre europiane. Së fundmi një pjesë e tyre spikatën me lojën e mirë në UEFA Champions League. Tre futbollistët kuqezi, Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti dhe Qazim Laçi, ishin titullarë në duelet e fundit të grupeve të Championsit, madje duke zhvilluar paraqitje dinjitoze. Asllani festoi me Interin, që mposhti 3-0 Monakon, teksa mesfushori shqiptar qëndroi në fushë gjatë gjithë duelit, duke u vlerësuar me notën 7.1, nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”, ku spikasin 7 topa të gjatë të saktë si dhe 92 pasime po të sakta.

Paraqitje dinjitoze edhe për Qazim Laçin, në duelin ndaj Bajern Leverkusen. Edhe pse skuadra e tij u mposht me rezultatin 2-0, mesfushori shqiptar ishte një nga më të mirët në fushë, duke u vlerësuar me notën 7.7. Laçi fitoi 9 nga 10 duelet me kundërshtarë, krijoi 1 shans të artë shënimi, si dhe rezultoi i saktë në të gjitha driblimet. Për sa i përket Berat Gjimshitit, kapiteni i Kombëtares shqiptare, vuajti disi ndaj yjeve të Barcelonës, në duelin që përfundoi në barazim 2-2. Ai u vlerësua me notën 6.3 nga “Sofa Score”, teksa regjistroi 30 pasime të sakta, dhe fitoi 2 nga 5 duelet me kundërshtarët.

Sahiti shënoi gol para 71.5 mijë tifozëve

Emir Sahiti lë gjurmë në Gjermani. “Emiri i shfrytëzon shumë mirë situatat një kundër një”, kishte deklaruar ndër të tjera trajneri i Hamburgut, Merlin Polzin, në fillimin e këtij muaji kur skuadra po bënte përgatitjet për pjesën së dytë të edicionit. Dhe doli se kishte të drejtë. Situatën një kundër një, Sahiti 26-vjeçar e shfrytëzoi të shtunën e kaluar. Pas një kundërsulmi të shpejtë nga skuadra e Hamburgut, Sahiti e dribloi shkëlqyeshëm Marten Vinklerin, për ta dërguar më pas topin në rrjetë. Ishte goli i minutës së 84-t i shënuar nga Sahiti, që e vendosi ndeshjen e rëndësishme të Hamburgut në xhiron e 19-të të Bundesliga 2. Ishte zëvendësuar dy minuta më pas, por Hamburgu fitoi në udhëtim te Hertha Berlini, 3:2.

Për Sahitin do të mbetet njëri prej golave më të rëndësishëm në karrierën e tij të deritashme. Në stadium zyrtarisht ishin 71 mijë e 500 shikues. “Për mua është hera e parë që luaj në një stadium me 75 mijë tifozë, 20 mijë prej të cilëve ishin të skuadrës sonë. Ishte një super ndeshje dhe ishte kënaqësi shumë e madhe që shënova në këtë ndeshje. Ishte njëri prej golave më të rëndësishëm në karrierën time”, tha Sahiti. Ai, Hamburgut iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga Hajduku i Splitit, për 1.2 milionë euro. Sulmuesi i krahut ka thënë se fillimi te skuadra e kategorisë së dytë të futbollit gjerman ishte i vështirë.

Klubi ishte i ri, por edhe bashkëlojtarët. “Me trajnerin bisedoj çdo herë në stërvitje. Po e jap më të mirën vazhdimisht në stërvitje e në lojë. Jam në moment të mirë. Por, besoj në punën e madhe, në mënyrë që të bëhem edhe më i mirë”, është shprehur Sahiti. Për Sahitin, goli i së shtunës në Gjermani është sinjal se mund të jetë kandidat i fortë për sulmues krahu te Kosova. “Unë jam i gatshëm për Kosovën gjithmonë. Por është trajneri ai që vendos”, deklaroi Sahiti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here