Kur në media lakohet emri i Kristiano Ronaldos vëmendja e tifozëve në mbarë botën fokusohet tek informacioni. Portugezi vijon të thyejë rekorde në karrierën e tij, edhe pse po afron me 40-at. Ai është energjik, efikas dhe padyshim i palodhshëm, duke këmbëngulur të zgjasë karrierën në nivele të larta sa më shumë të jetë e mundur. Ndërkohë. Ka dhe një lajm të ri surprizues në lidhje me të. Sipas mediave në Spanjë, Kristiano Ronaldo e ka paralajmëruar rikthimin në radhët e Realit të Madrid, por pa e specifikuar se kurrë.
Por, një gjë është e sigurt: ylli portugez mund të rishihet në “Santiago Bernabeu” vetëm pasi ta përfundojë karrierën. 39-vjeçari e shkroi historinë me “Mbretërit”, ku e kaloi periudhën më të mirë në karrierë, ndërsa tash është pjesë e Al-Nasr në Arabinë Saudite pas përvojave të jashtëzakonshme me Sporting Lisbonën, Mançester Junajtid e Juventusin, krahas kampionëve aktualë spanjollë, evropianë e botërorë. “Vendi ku isha më së shumti i lumtur në aspektin e futbollit ishte Real Madridi, natyrisht…”, deklaroi pesë herë fituesi i Topit të Artë për “La Sexta”.
“Rikthimi në Bernabeu? Ndoshta pas përfundimit të karrierës, diçka mund të ndodhë”, përfundoi pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Ronaldo po marshon drejt rekordeve si golashënues. Kështu, sulmuesi portugez e ka shënuar edhe golin e 921 në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Golin e fundit për skuadrën Al Nassr në elitën e futbollit të Arabisë Saudite, Ronaldo 39-vjeçar, e shënoi të enjten mbrëma në udhëtim tek Al Raedi. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1:0 në të mirë të Al Nasr. Ronaldo realizoi në minutën e 35-t me asistim të Marcelo Brozoviçit. Për superyllin portugez ishte goli i 15-të në këtë kampanjë të elitës së futbollit arab.
Ndeshja i takon xhiros së 18-të. Në lidhje me Ronaldon ka dhe një lajm tjetër të ri. Bëhet fjalë për një futbollist të njohur të Premier League që do t’i bashkohet portugezit në Suprligën e Arabisë Saudite. Kështu, Xhon Duran ishte padyshim një nga sulmuesit më të spikatur të këtij sezoni në Premier League, duke lënë gjurmë me Aston Vila.
Kjo zgjoi interesin e shumë klubeve të mëdha në Europë, por zgjedhja e 21-vjeçarit i ka habitur të gjithë në Angli. Kolumbiani do të transferohet drejt Arabisë Saudite, pasi kaloi me sukses testet mjekësore me Al-Nasr, ndërsa Aston Vila do të përfitojë 77 milionë euro nga ky operacion. Aty ai do të bashkohet me Kristiano Ronaldon dhe Stefano Piolin dhe do të firmosë një kontratë për pesë vite e gjysmë me klubin saudit.