Zhvillime të forta brenda SPAK, prokurorët zgjatin me 3 muaj afatet hetimore për Arben Ahmetajn dhe i çojnë fletë-thirrje oligarkut që akuzohet për pastrim parash

0
56

Në radhët e partive kryesore politike, biznesit, policisë dhe krimit të organizuar kanë filluar të dridhurat, pasi SPAK po përgatit goditje në nivele të larta. Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se disa oligarkë duket se janë kthyer në çelësin e SPAK-ut për të zbuluar dhe dokumentuar pasuritë e fshehura për pushtetarë të lartë. Mësohet se një nga përfituesit e mëdhenj të parave dhe pasurive publike, pritet të zbarkojë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë llogari për disa akuza që e implikojnë në pastrim parash. Pozitat e tij pritet të tronditen pasi hetimet kanë nxjerrë se ai ka kryer transferta parash të dyshimta si dhe po e hetojnë për “bakshishet” që i ka dhënë shtetit për të përfituar copën më të madhe nga torta që ndajnë. Janë zbardhur SMS dhe emaile.

Hetimet ndaj Ahmetajt

Nga ana tjetër SPAK ka zgjatur me 3 muaj afatet hetimore për Ahmetajn. Ky i fundit është i shpallur në kërkim që prej muajit korrik të vitit 2023, për çështjen e inceneratorëve. Mësohet se afatet hetimore përfundonin në datë 21 qershor, ndërkohë që verifikimet e tjera që po kryen struktura e posaçme kanë bërë që dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai, t’i zgjasin me tre muaj afatet. Dosja pritet të dërgohet në gjykatë në muajin shtator dhe zgjatja e hetimeve i është komunikuar avokatëve mbrojtës të Arben Ahmetaj. Më 24 korrik të vitit të shkuar, SPAK shpalli zyrtarisht në kërkim ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, duke ngritur ndaj tij tre akuza, “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Në muajin mars të këtij viti, SPAK i komunikoi ish-ministrit të financave akuzat, përmes avokatëve të tij. Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare. Kujtojmë gjithashtu se pak ditë më parë u zbulua se Ahmetaj, rezulton se ka përdorur dy identitete. Kjo të paktën referuar dosjes hetimore, që SPAK ka për ish-zv/Kryeministrin, i cli është marrë i pandehur për akuzat e korrupsionit, fshehjes së pasurisë e pastrimit të parave. Referuar të dhënave nga dosja e SPAK, dy identitetet për Arben Ahmetajn janë krijuar për shkak të datës së ditëlindjes. Më konkretisht, referuar të dhënave hetimore të SPAK, në raportin e datës 10 tetor 2023, theksohet se shtetasi Arben Ahmetaj ka një identitet të dytë (Alias) në bazat e të dhënave të policisë me të njëjtin emër dhe mbiemër, por ka ditëlindjen 27 qershor 1969 në vend të datës 28 qershor. Këto të dhëna SPAK i ka siguruar nga autoritetet zvicerane, të cilat iu përgjigjën një letërporosie të drejtësisë shqiptare dy muaj pasi ndaj Arben Ahmetaj ishte caktuar masa e sigurimit “arrest me burg”. Një detaj interesant në dosje është ai që bën fjalë se si ish-zv/Kryeministri kishte shpenzuar brenda 1 nate mbi 93 mijë euro në një kazino. “Shtetasi Arben Ahmetaj që prej datës 20 shtator 2023 ka statusin e azilkërkuesit në Zvicër dhe është mbajtës i lejes së qëndrimit të vlefshme deri në datë 9 janar 2024, i cili mban të njëjtën adresë me shtetasen Erjola Hoxha”, thuhet në letërporosinë e mbërritur nga Zvicra.

Detajet

Në raportin e hetimit jepeshin të dhëna për adresën ku jetonte Ahmetaj me bashkëjetuesen dhe vajzën e mitur, punën e re që kishte nisur bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha dhe fakti që ajo paguhej mbi 9 mijë franga zvicerane në muaj. SPAK ka dërguar në Zvicër kërkesa për ekstradimin e ish numrit dy të qeverisë, por nuk ka një përgjigje për vendimmarrjen, pasi njëherazi po shqyrtohet si kërkesa e tyre, ashtu edhe ajo e Ahmetajt për azil politik. Në dosjen hetimore relatohen edhe fakte të tjera, sipas të cilave Arben Ahmetaj ka shpenzuar vetëm brenda një natë në një kazino në Maltë shumën prej 93 mijë e 500 eurosh të dhëna të vëna në dispozicion nga autoritetet e drejtësisë atje. Në të njëjtën kazino rezulton të jetë i regjistruar dhe biznesmeni Mirel Mërtiri si dhe kunati i Arben Ahmetaj. Aktualisht Arben Ahmetaj po vijon përballjen me drejtësinë në Zvicër për të fituar statusin e azilantit, ndërsa ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit. Bashkë me të, të pandehur janë marrë dhe ish gruaja e tij, si dhe dy bosët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto që të dy në arrati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here