“Thika pas shpine” në Nju Jork, Serbia kërkon t’ia kthejë Malit të Zi me të njëjtën monedhë, një rezolutë e re po ndez gjakrat në rajon

0
36

Serbia duket se nuk po e përtyp dot miratimin e rezolutës së Srebenicës në OKB, më 23 maj në Nju Jork. 84 nga 193 shtete anëtare të OKB-së votuan pro rezolutës, e cila propozonte shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënimin e mohimit të gjenocidit dhe lavdërimit të kriminelëve të luftës, 19 ishin kundër dhe abstenuan 68. Megjithatë, duket se ka disa vende, që e kanë zhgënjyer Serbinë, më shumë se të tjerët. Dhe në krye të listës është pa dyshim Mali i Zi, ndryshimet e propozuara të të cilit shkaktuan një stuhi zemërimi që ende nuk ka ndaluar në Serbi. Këto amendamente u miratuan përfundimisht, ndonëse u propozuan disa ditë para votimit.  Amendamenti i parë i qeverisë malazeze thoshte: “duke përsëritur se fajësia për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”. Amendamenti i dytë thotë se “pohimi i paprekshmërisë së marrëveshjes kornizë të përgjithshme për paqen në Bosnje dhe Hercegovinë në të gjitha dispozitat e saj”. Ky është pikërisht thelbi i Rezolutës: Asnjë vend apo komb nuk përmendet si gjenocid, siç insistojnë zyrtarët më të lartë serbë, duke filluar nga Aleksandër Vuçiç. Megjithatë, një luftë e re diplomatike ka nisur në rajon.

Rezoluta për Jasenovacin

Tani, si formë hakmarrjeje, polemika rreth rezolutës malazeze për Jasenovacin po nxehet. Konkretisht, Kuvendi i Malit të Zi e shtyu debatin për rezolutën e propozuar për gjenocidin në Jasenovac. Kjo temë është dashur të jetë në rendin e ditës të hënën, më 27 maj, por siç raporton portali i Podgoricës “Anetnam.net”, është zhvendosur për të enjten, më 30 maj. Rezoluta për Jasenovacin u propozua nga kuvendi malazez pikërisht për të zbutur dhe anuluar efektin e votimit për rezolutën e Srebrenicës, për të ulur zemërimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, por edhe të forcave radikale pro-serbe në vetë Malin e Zi.  Por Aleksandër Vuçiç në intervistën e tij në TV Prva të Beogradit tha se ishte i sigurt se Mali i Zi “kurrë nuk do të miratojë ligj, rezolutë apo deklaratë për gjenocidin në Jasenovac”. Vuçiç, është më se i zhgënjyer që Mali i Zi votoi “pro” Rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila u konsiderua nga publiku serb si një nga “tradhtitë më të mëdha”. Ai tha se sjellja e Malit të Zi ishte më e neveritshmja nga të gjitha.

Shantazhi ndaj qeverisë

Kujtojmë se në pushtet është opsioni pro-serb, i cili u mbështet nga partitë shqiptare atje. Mirëpo, me Rezolutën për Jasenovacin, pati disa “fërkime” brenda koalicionit qeverisës, sepse përfaqësuesit e atyre partive shqiptare, të paktën tani për tani, refuzuan të nënshkruajnë tekstin e propozuar të rezolutës për Jasenovacin. Deri më tani, siç tha kryetari i kuvendit nga koalicioni pro-rus-pro-serb Për Ardhmërinë e Malit të Zi, duka çetnik Andrija Mandiç, janë mbledhur 43 nënshkrime nga 81 përfaqësues. Po kështu, në Podgoricë ka “thashetheme” se Andrija Mandiç dhe kryeministri Spajiç janë përplasur për rezolutën, i cili dyshohet se ka frikë se Kroacia nuk do të bllokojë negociatat e mëtejshme me Brukselin, por edhe se presidenti Jakov Milatoviç dhe Spajiç janë përplasur për të luajtur një lloj ndërmjetësi mes të dyjave.

Hakmarrja e Serbisë

Por interpretimet e rëndësisë së këtyre dy rezolutave janë paksa kontradiktore. Domethënë, përderisa Vuçiç për Rezolutën për Srebrenicën thotë se është një rezolutë antiserbe me të cilën serbët shpallen komb gjenocidal dhe se do të shkaktojë konflikte, Sekretari i Përgjithshëm i PES Boris Pejoviç është i bindur se rezoluta për Jasenovacin do të bëjë saktësisht të kundërtën. Rezoluta për Jasenovacin u miratua fillimisht në Mal të Zi, jo në Serbi, pikërisht si pjesë e politikës së Vuçiçit “bota serbe”, për të treguar unitetin e popullit serb në këtë zonë nën “kapelën” e tij dhe jo si nevojë dhe dëshirë reale për devotshmërinë ndaj viktimave të atij kampi të vdekjes ku humbën jetën serbët, hebrenjtë, romët dhe kroatët, kundërshtarë të regjimit kolaboracionist ustash.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here