Bonusi për pensionistët, ja kur pritet të nisë zyrtarisht shpërndarja dhe kush janë kategoritë që do përfitojnë, kreu i ISSH zbardh detajet

0
71

Prej 1 dhjetorit, bashkë me pensionin, të moshuarit do të kenë mundësi të marrin edhe bonusin në vlerën e 5 mijë lëkeve. Teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive, drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado u ndal edhe tek kategoritë që do të përfitojnë. Për vitin e ardhshëm, janë rreth 42 milionë dollarë të cilat do të shkojnë për indeksimin e pensioneve. Kujtojmë që reforma e ndërmarrë në 2015 nuk përcakton rritje por vetëm indeksim bazuar në normën e inflacionit. Pas pothuajse 9 vitesh, Qeveria po shikon mundësinë e ndërhyrjes në skemë. Në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar janë duke u analizuar të dhënat e deritanishme për të korrektuar aspekte të cilat nuk janë parashikuar në fazën e parë, apo që nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. I pyetur nëse po shihet mundësia e rishikimit të masës së përfitimit për pensionistët, kreu i ISSH-së Hado tha se mënyra sesi do të përcaktohet indeksimi do të varet nga të dhënat që do te gjenerojë studimi, i cili pritet të përfundoj brenda këtij viti, pa zbuluar më tepër detaje. Megjithatë, në asnjë rast, vendimmarrja nuk do të ketë fuqi prapavepruese, ç’ka do të thotë se prej saj nuk do të përfitojnë pensionistët aktualë. Hado u ndal edhe tek njohja e viteve kontributeve. Me anë të një vendimi, u krijua mundësia që për 84 ndërmarrje dhe ish-kooperativa të kohës në të cilat mungon dokumentacioni, vitet e punës do të njiheshin automatikisht pa qenë nevoja që qytetarët t’u drejtoheshin gjykatave. Kreu i ISSH bëri me dije se lehtësi ka edhe për ato qytetarë të cilët kanë punuar në ndërmarrje të cilat janë djegur. Problem mbetet masa kontributeve, e cila paguhet nga të vetëpunësuarit në bujqësi. Këta të fundit, vuri në dukje Hado, paguajnë shumë herë më pak në raport me të vetëpunësuarit në qytetet, por masa e përfitimit është e njëjtë, pasi mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Pavarësisht skemave lehtësuese të aplikuara vit pas viti, numri i fermerëve që sigurohen vijon të jetë në nivele thuajse minimale. Në reformën e miratuar në 2015 përcaktohej që në vitet pasuese të miratohej një unifikim i vlerës kontributeve, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur për shkak edhe të pamundësisë financiare të fermerëve.

Reagon ministri Mete

Ndërkohë sa i takon të moshuarave, rritjes së pensioneve dhe referimit të skemës ka folur edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete. Ky i fundit teksa ishte i ftuar në një studio televizive deklaroi se në 10 vitet e fundit fondi për pensionet është dyfishuar. Po ashtu, gjatë një interviste në mediat, Mete foli për domosdoshmërinë e një reforme për pensionet. “Unë besoj se të gjithë ne që jetojmë në këtë vend kemi ndjeshmëri ndaj kësaj shtrese. Në dhjetë  vitet e fundit fondi i pensioneve që ne shpenzojmë si shtet për pensionistët është dyfishuar, numri i pensionistëve është rritur  me 25 për qind. Këtu herë pa pasur kontribute dhe herë jo dhe ata që janë sot janë ndikuar nga kjo, paga që merret referuese në momentin që llogaritet pensioni është paga në momentin e daljes në pension dhe punonjësit që do dalin në vijim me paga më të larta do të kenë edhe pensione më të larta. A ka ardhur momenti  për të bërë një reformë të dytë, sepse e para ishte një reformë  e shëndetshme. Ne kemi skemë pensioni që do varet nga kontribuuesit që ne do të kemi kur te dalim në pension. Kemi hapur edhe një diskutim me Bankën Botërore dhe me FMN, por duhet që në këtë diskutim të përfshihen jo vetëm pensionistët që ne i konsiderojmë vulnerabël, por edhe shtresat e tjera që kemi në Shqipëri.  Buxheti në fund  i përgjigjet kërkesave  edhe sipas mundësive, në këtë stad ku jemi rreth 2.5 miliardë euro në vit që shkon për këto shtresa nuk është një përqindje jo domethënëse. Duhet që të kemi më shumë kontribuues që të rriten pensionet. Profesionistët e lirë do të kenë një skemë të tillë fitim nga 1 lekë deri në 14 milionë lekë të reja në vit do të tatohen 15 për qind, pra fitimi dhe jo xhiroja që është e përllogaritur si taksa efektive që paguajmë ne si të punësuar që arrijmë nivelin 23 për qind. Taksa efektive llogaritet e përafërt me këtë nivel. Qeveria ka detyrë duhet që të mirëadministrojë pjesën e kontribuuesve, sepse pjesa e përfituesve varet nga jetëgjatësia e tyre. Duket rritur kontribuuesit do jetë mundësia që të ketë edhe një reformë në skemën e pensioneve”, deklaroi Mete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here