Sali Berisha duket se po shkon përfundimisht drejt prehrit të Ilir Metës, pas disfatës politike që mori në zgjedhjet lokale të 14 majit, ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” arriti të fitonte vetëm 7 bashki nga 61 që ka në total, mbështetje kjo në votë që nëse përkthehet në numër banorësh janë baraz me dy lagje të Tiranës. Prej disa muajsh gazeta “SOT” e ka deklaruar se Berisha dhe Meta janë pengje të njëri-tjetrit, ndërkohë që më i favorizuar nga ky pazar është kreu i Partisë së Lirisë, i cili hyri në zgjedhjet e 14 majit, me synimin që të dobësonte “Foltoren”, në mënyrë që në finale t’i ngulte “thikën” Berishës. Burime të sigurta nga “Rithemelimi” dhe PL, i thanë gazetës se Berisha po përgatitet që drejtimin e “Foltores” t’ia kalojë Belind Këlliçit, i cili u turpërua në zgjedhjet vendore, duke thyer një rekord brenda opozitës, për shkak se asnjë kandidat nuk kishte humbur aq thellë përballë rivalëve socialistë në Bashkinë e Tiranës në këto 30 vite demokraci. Ndërkohë nga ana tjetër, mësohet se aq deputetët sa i kanë mbetur Berishës, që janë diku tek 7, do të grupohen me 3 ligjvënësit e Partisë së Lirisë, duke krijuar një grup të ri parlamentar, drejtimi i së cilit synohet t’i besohet kushëririt të Ilir Metës, Ervin Salianjit. Pra, ndërsa u gjend përballë “tërmetit” 8 ballësh në zgjedhjet e 14 majit, Berisha indirekt po pranon kapitullimin dhe po i falet Metës.
Përgatitjet
Sipas ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, duhen 7 deputet që të krijohet një grup parlamentar. Kështu që nisur nga fakti që Partia Demorkatike do të ridrejtohet nga Lulzim Basha, Berisha ka nisur të bëjë llogaritë dhe hartojë strategjinë për të ardhmen e tij në politikë, ndërkohë që pritet që të nisë një lëvizje të re në fund të verës dhe fillim të vjeshtës që vjen, përmes së cilës synon të mbetet në sistem. Mësohet se Meta dhe Berisha kanë gjetur dakordësinë që Salianjin ta vendosin kryetar grupi, ndërsa Këlliçin si kreun e “Foltores”. Megjithatë në të dy rastet më i fituar del spiuni Ilir Meta (akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit), pasi si Këlliçi dhe Salianji janë “zara” të tij. Ky vendim për të krijuar grup parlamentar, do t’i japë mundësi atij (Berishës) që të këtë më shumë hapësirë kohore në Parlament, pasi aktualisht ai po e vuan shumë këtë problem, për shkak se Partia Socialiste e ka kufizuar dhe nuk e njeh si lider. Ndërkohë me grupin e tyre parlamentare, Sali Berisha e Ilir Meta, përveçse po “ëndërrojnë” të diktojnë e bllokojnë Parlamentin, kanë dhe përfitime të shumta suplementare nga shteti, si fonde, pagesa shtesë, zyra, dieta, makina e sekretare. Gjithashtu një tjetër synim i tyre kryesor me këtë skenar, është të përfitojnë nga prezenca në delegacione e takime ndërkombëtare, me qëllim për të ri-vendosur lidhjet politike me personalitete të BE. Gjithësesi duhet theksuar se pavarësisht se Këlliçi, do emërohet në krye të “Rithemelimit” dhe Salianji në krye të grupit parlamentar, do të jetë Ilir Meta, ai që do jetë kryetar i madh dhe që do luaj fijet.
Paralajmërimet
Por paralajmërimin e një grupi të ri parlamentar e bëri pak javë më parë edhe deputetja e “Foltores” Albana Vokshi. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, Vokshi theksoi beteja ligjore për legjitimitetin e organeve të PD nuk do ta pengojë ish-kryeministrin Sali Berisha të bëjë lëvizje për të marrë më shumë hapësirë në Parlament. Kur u pyet, deputetja Albana Vokshi e la të hapur këtë si opsionin më të mundshëm. “Përsa i takon grupit parlamentar është një vendim që do ta shohim pas 14 majit. Pse jo, mund edhe të merret një vendim i tillë. Mendimi im personal është që duhet ndarë njëherë e mirë shapi nga sheqeri, por deri tani nuk e kemi diskutuar, pasi jemi në fushatë elektorale”, deklaroi Vokshi. Nga ana tjetër, edhe vetëm Salinaji ka dhënë sinjale se i pëlqen të jetë kryetar i grupit parlamentar. Duke folur jashtë sallës së Kuvendit javën që shkoi dhe duke komentuar dorëheqjen e Alibeajt, ai theksoi se nuk do të kërkojë që të marrë detyrën si kryetar i grupit parlamentar të PD, derisa të krijohen të gjitha urat e komunikimit, që opozita të bashkohet. “(Dikur) Kam nisur të mbledh firmat, e kam arritur numrin e firmave të nevojshëm në atë moment. Më shumë se 60 përqind e deputetëve të PD kanë qenë që unë të isha kryetar i grupit parlamentar, e kam stopuar, e kam ndaluar për t’i dhënë mundësi reflektimi dhe për ta përdorur edhe këtë funksion, të kryetarit të grupit, për ta lënë si një funksion zgjidhës që grupi parlamentar të bëhet bashkë. Nuk e marr përsipër dhe nuk do të jem në asnjë moment, pavarësisht se ligjërisht, që në momentin që jep dorëheqjen kryetari i grupit, me rregulloren e Kuvendit, jam po themi përfaqësuesi si nënkryetar i grupit, por me funksionet e kryetarit. Nuk do të marr asnjë hap të tillë derisa të krijohen të gjitha urat e komunikimit, që opozita të bashkohet”, deklaroi Salianji.








































