Qeveria gati projektligjin e ri, ja si do të shiten pronat e bllokuara nga shteti në kuadër të aktit normativ për konfiskimin e ndërtimeve pa leje

0
83

Prej gati 7 muajsh qeveria ka nisur aksionin për goditjen e paligjshmërisë në ndërtime, çka ka sjellë edhe konfiskimin e një numri të madh pallatesh, kryesisht në kryeqytete. Për të përcaktuar mënyrën e menaxhimit dhe përdorimit të këtyre ndërtimeve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur në konsultim publik një draft-ligj, i cili së shpejti do të kalojë për miratim në qeveri. Sipas projektligjit, shteti mund t’i shesë ndërtimet e konfiskuara përmes një ankandi publik, ndërsa një pjesë tjetër mund t’i shfrytëzojë për nevoja të strehimit social apo për interes publik. Pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të krijohet Komisioni i Objekteve të Konfiskuara që do përcaktojë edhe mënyrën e administrimit të tyre. Në projektligj thuhet se pronarët e truallit nuk kanë të drejta mbi pjesën e objektit të ndërtuar në tejkalim të lejes, por mund të marrin pjesë në programin e shitjes së objekteve të konfiskuara në cilësinë e subjekteve me të drejtë parablerje. Fondi që do krijohet nga ndërtesat e konfiskuara në fund të vitit buxhetor do transferohet në një llogari të veçantë në Bankën e Shqipërisë. Gjatë vitit 2022 Këshilli Kombëtar i Territorit ka konfiskuar 22 ndërtime të kryera në shkelje të lejes.

Çfarë ka ndodhur ?

Në shtator të këtij viti Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për bllokimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe i legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit, ose ndryshe i sekuestrohet. Deri më tani vetëm “Ideal Construction shpk” ka vendosur t’i dhurojë shtetit shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, e cila do të përdoret për interes publik. Ndërkohë janë sekuestruar edhe godina të tjera. Një në rrugën ‘Myslym Shyri’ në Tiranë, pasi kishte ndërtuar 2700 metra katrorë shtesë pa leje, nga firma ‘Arb Trans 2010’ me administrator Shyqyri Maloku dhe ish-ortak deri në vitin 2018 Arben Malokun, ish-administrator i Zall Herrit. Nga ana tjetër është sekuestruar edhe ndërtesa 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina e ndërtuar pa leje por që në vendimin e KKT duket se në fakt godinat në pronësi të tij janë 4.

Disa nga vendimet e KKT

1. Për miratimin e procedurave administrative të ndryshimit të lejeve të zhvillimit/ndërtimit të objekteve që do të kalojnë në pronësi shtet, për nevoja të strehimit social apo për interes publik.

2. Për miratimin e procedurave administrative të shqyrtimit të dokumentacionit të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllime fitimi, që konfiskohen për interes publik.

3. Për transferimin në favor të shtetit me kontratë premtim shitje me vlerë 1 euro, të sipërfaqes së ndërtimit në objektin: “Godinë polifunksionale “Eyes of Tirana” 6, 8, 9, 13, 18 dhe 24 kat, me 4 kat nëntokë, faza e I-rë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Ideal Construction” sh.p.k.

4. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Hotel 5 dhe 6 kat, me 2 kat nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Qamil Guranjaku”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “RT MAX” sh.p.k.

5. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 kat, me 2 dhe 3 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Hiqmet Buzi”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Devis Construksion” sh.p.k.

6. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 6 kat, me 2 dhe 4 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Hiqmet Buzi”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Laxmi Real Estate & Investment” sh.p.k.

7. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Objekt 7 kate, me 2 kate nëntokë”, të ndërtuar pa leje për qëllim fitimi, brenda sheshit të ndërtimit të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 kat, me 2 dhe 3 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Hiqmet Buzi”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Devis Construksion” sh.p.k.

8. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Kompleks me godina banimi dhe shërbime 4, 5, 6 dhe 7 kat, me 2 kat nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën e Elbasanit, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “City Construction INC” sh.p.k.

9. Për konfiskimin për interes publik të sipërfaqes së ndërtuar pa leje për qëllim fitimi, në objektin: “Godinë banimi dhe shërbime 5, 7 dhe 9 kate, me 2 parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Kont Urani”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Fabri D” sh.p.k.

10. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 4 dhe 5 – 9 kate, me 2 parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Myslym Shyri”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Arb & Trans – 2010” sh.p.k.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here