Avokati i njohur Idejat Beqiri ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking”, ku ka folur për padinë e dytë të bërë ndaj ish-presidentit Ilir Meta, pas asaj për ndërhyrjet estetike.
Beqiri ka shpjeguar se në këtë padi, ai i ka paraqitur SPAK-ut prova në lidhje me vjedhjen e thesarit të Krrabës, e cila sipas tij është kryer nga Meta, por në bashkëpunim edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Hajdutët kanë hyrë me dhunë në tunel. Por dera ku mbahej floriri nuk hapej, hapej me kode që i kishte qeveria. Duhet sasi e madhe tritoli që të hapej. Por nuk është hapur me dhunë.
Janë prova të rëndësishme. Qeveria e Berishës futi bashkëpunëtorët e saj, kur po binte shteti kur armët ishin nëpër duar të qytetarëve. Kam informacion kush e ruante dhe si Berisha urdhëroi që të largoheshin. Edhe vjedhja që është bërë në vitin 1999 me urdhër të Ilir Metës, janë dëshmitarë ata që hynë dhe që e vodhën. Nuk është vjedhur me thyerje, përveçse që janë futur me çelësa dhe me kode që i kishte qeveria. Ka prova të rëndësishme. Dhe SPAK e ka të qartë çfarë ka ndodhur. Provat janë domethënëse.
Kam edhe një dosje tjetër të rëndë për Ilir Metën. Kam shumë materiale në dorë që nuk mund t’i mbaj, sepse është moskallëzim krimi. Por edhe për njerëz të tjerë.”- deklaroi ai.