Komedia “Të prezantoj Babain”, në skenën e festivalit “KoKo Fest” në edicionin e nëntë

0
152

Festivali mbarëkombëtar i komedisë “KoKo Fest ‘22” zhvillon këtë vit edicionin e nëntë në Korçë. Tetë mbrëmje magjike në Korçën e artit dhe kulturës, të mbushura me emocione dhe të qeshura pafund, që do të ngjisin në skenë trupa nga Shqipëria dhe trevat shqipfolëse. Në këtë festival që zhvillohet nga data 3 deri më 10 shtator do të marrin pjesë shfaqje të ndryshme. Teatri “Aleksandër Moisiu” prezantohet në këtë festival komedie me shfaqjen “Të prezantoj Babain”. Teatri i Durrësit bën me dije në faqen e tij se është një vepër angleze përkthyer dhe me regji nga Adelina Muça, që do të jetë në skenën e teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi” më datë 3 shtator në orën 19:00. Një palë pantofla misterioze, një seri telefonatash të çuditshme, lule që nuk kuptohen se nga vijnë, një adresë e dyshimtë, një propozim i papritur për martesë dhe një vendim për të takuar prindërit!? Në role janë aktorët Gentian Zenelaj,  Suela Bako, Ervin Doko dhe Alessia Xhemalaj. Skenografia Marçela Llana, kostumet Lira Zahiri. Shkruar nga mjeshtri i komedisë angleze Alan Ayckbourn fitues i “Tony Award” në 2010 dhe “Laurence Olivier Award” në vitin 2009, kjo komedi angleze prej vitit 1965 deri më sot është luajtur në skenat më të rëndësishme të teatrove, duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm. Teatri i Durrësit shprehet se komedia vjen për të gjithë artdashësit korçarë e jo vetëm, e vendosur në një atmosferë tepër intime ku publiku i teatrit do të shijojë një shfaqje brenda skenës së teatrit, shumë pranë protagonistëve, duke sjellë kështu më tepër emocion.

Pjesëmarrja në festival

Festivali mbarëkombëtar i komedisë ”KoKo Fest”, i cili prej disa vitesh zhvillohet në qytetin e Korçës bën bashkë artistët, ku nuk mungojnë edhe çmimet që ndahen nga juria e festivalit. Këtë vit prezantohen tetë shfaqje dhe marrin pjesë teatri i Durrësit me “Ju prezantoj Babain”; teatri “Bekim Fehmiu” me “Provo dhe një herë Sam”; teatri i Korçës me “A flasim për burrat”; Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me shfaqjen teatrore “Pak pakt”; teatri “Migjeni” i Shkodrës me “Gjaja”, etj. Një vit më parë në edicionin e tetë të festivalit të komedisë çmimin e shfaqjes më të mirë e rrëmbeu “Ferma e Kafshëve” nën interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Driada Dervishi fitoi çmimin “Regjia më e mirë”, “Aktori më i mirë” protagonist u vlerësua artisti Gentian Zenelaj, etj. Premiera e komedisë “Vdis duke qeshur” çeli natën e parë të festivalit mbarëkombëtar të komedisë të edicionit të tetë. Për shkak të pandemisë edicioni i shtatë i festivalit u organizua në ambiente të jashtme, ndërsa një vit më parë shfaqjet e përzgjedhura ishin në ambiente të brendshme të teatrit, duke respektuar të gjitha rregullt ndaj pandemisë dhe duke pasur një publik të reduktuar. Aktorët si Ndriçim Xhepa, aktorja Eva Alikaj, regjisori Qëndrim Rijani, etj, ishin jenë pjesë e jurisë prestigjioze që ndanë çmimet. Një vit më parë për 7 net me radhë “KoKo Fest” dhuroi për të gjithë të pranishmit në sallën e teatrit “Andon Zako Çajupi” art, të qeshura, por edhe mesazhe të rëndësishme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here