Projekti kërkimor-shkencor Durrësi Mesjetar-Amfiteatri, gërmimet synojnë të plotësojnë dokumentacionin arkeologjik

0
162

Punimet e projekti kërkimor-shkencor Durrësi Mesjetar-Amfiteatri rinisën këtë muaj. Në fokus të tij ka amfiteatrin dhe gërmimet arkeologjike që po kryhen janë për plotësimin e dokumentacionit arkeologjik në sektorin jugor. Projekti kërkimor-shkencor Durrësi Mesjetar-Amfiteatri është një projekt bashkëpunimi shqiptaro-italian bashkëdrejtuar nga Instituti Arkeologjisë (Departamenti i Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës drejtuar nga Elvana Metalla si edhe Universiteti i Chietit (Departamenti i Shkencave Psikologjike, të Shëndetit dhe Territorit – DiSPuTer, Chieti (Itali) drejtuar nga Sonia Antonelli. Akademia e Studimeve Albanologjike, pjesë e të cilës është dhe Instituti i Arkeologjisë bën me dije se punimet, që kanë rinisur në fillim të korrikut do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit. “Ky projekt ka në fokus aktivitetin kërkimor në amfiteatrin e Durrësit, duke u përqendruar në të kuptuarit e mënyrave si dhe kohën e uzurpimit të monumentit për shfaqje të epokës postklasike. Gërmimet synojnë të plotësojnë dokumentacionin arkeologjik në sektorin jugor të amfiteatrit, si nga pikëpamja stratigrafike ashtu edhe për të kuptuar fazat e transformimit të monumentit nga ana arkitektoniko-strukturore”, thuhet në materialin që ka publikuar së fundmi Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA). Sipas ASA-s, njohja e deritanishme dhe gjurmët përkatëse të tërmeteve, të cilat janë evidente dhe të dukshme si edhe strehimet e bëra direkt në strukturat e amfiteatrit mbi shembjet, dëshmojnë ripërdorimin e objektit për shfaqje në mesjetë, pas tërmetit të fundit të shekullit XIII, për shkak të frekuentimit të zonës.

Puna në dy sektorë

Përqendrimi i punës gjatë këtij viti është vendosur në dy sektorët α dhe β. Akademia e Studimeve Albanologjike pjesë e së cilës është dhe Instituti i Arkeologjisë shprehet  se identifikimi i ndarjeve të tjera, që përcaktojnë galeri të reja (galeritë VII-IX), si edhe identifikimi i shembjeve të tërmetit të vitit 1270, si dhe mënyrave për rirregullimin e zonës: heqja e shtresave rrafshuese të rrënojave ka nxjerrë në pah më mirë shembjet, që lidhen me strukturat e amfiteatrit dhe me muret e galerisë IX. “Gjithashtu gërmime të reja mendohet të vazhdohen në drejtim të sektorit β, ku gjatë gërmimit pas heqjes se niveleve të periudhës otomane kanë dalë në pah disa shembje të periudhës mesjetare si edhe gjurmët e galerive në vazhdim”, sqarohet më tej. Amfiteatri i Durrësit është më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here