“Open Cinema” në edicionin e gjatë do të jetë në dhjetë qytete të vendit. Filma shqiptarë dhe të huaj, si dhe të ftuar nga fusha e kinemasë dhe muzikës do të jenë këto mbrëmje për publikun. “Open Cinema” nis nga qyteti i Kukësit nesër në mbrëmje për të vijuar dhe në datat 16 dhe 17 qershor për publikun. Producenti Skënder Jaçe thotë se “Open Cinema” vjen si një risi nëpër qytetet e Shqipërisë, në sezonin e ri turistik të verës së nxehtë. “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri me formatin e saj “Open Cinema” zbret këtë sezon të ri turistik me një projekt ambicioz në 10 qytete të Shqipërisë. Ajo ngre siparin në qytetin e Kukësit, duke promovuar dhe turizmin e këtij rrethi, i cili ka njohur zhvillime të prekshme vitet e fundit. “Open Cinema” mbështetet nga Bashkitë e qyteteve respektive, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe kurohet nga “Production Cinemania””, thotë producenti dhe kineasti Skënder Jaçe. Këtë edicion përveç filmave që janë pjesë e programit, do të ketë dhe retrospektiva nga kronikat në ndër vite të qyteteve ku do të jetë “Open Cinema”. Producenti Skënder Jaçe thotë se gjithashtu do të kujtohen dhe regjisorët e aktorët më të mirë të kinemasë. “Prodhimet e fundit të kinemasë shqiptare, si dhe asaj botërore do të shohin dritën e projeksionit në qytetet e Shqipërisë. E veçanta për këtë vit do të jetë retrospektiva nga kronikat në vite të çdo qyteti, duke parë ecurinë dhe ndryshimet e mëdha në çdo qytet gjatë viteve. Gjithashtu do të kujtohen nëpërmjet retrospektivave regjisorët dhe aktorët më të mirë të kinemasë botërore, të cilët shkëlqyen me veprat dhe rolet e tyre, duke kujtuar kështu epokën e ndritur të kinemasë”, thotë Jaçe.
Të ftuarit në “Open Cinema”
Ajo që e bënë akoma më të gjallë këtë aktivitet kombëtar, është pjesëmarrja e regjisorëve dhe aktorëve shqiptar para ekranit të madh të kinemasë si Saimir Kumbaro, Timo Flloko, Fitim Makashi, Adivije Sharofi Alibali, Mevlan Shanaj e Natasha Lako, etj. Producenti Skënder Jaçe thotë se promocionin e kinemasë shqiptare në tre net në çdo qytet të Shqipërisë do ta përshëndesin dhe këngëtarët e ftuar special. “Si Irma Libohova, Paola Kostandini e Miron Kotani, Dava Gjergji, Alfred Meminaj, Liljana Kondakçi, Kristina Ndoja, Bashkim Alibali, Eranda Libohova, Redon Makashi, Ergi Agolli, etj”, thotë Jaçe. “Open Cinema” sjell në Kukës për publikun e gjerë, filmin e pëlqyer ndër vite kopje të restauruar “Vdekja e Kalit” të regjisorit Saimir Kumbaro, si dhe filmin e restauruar të regjisorit Dhimitër Anagnosti “Përrallë nga e kaluara”. Kështu nga qyteti verior i Shqipërisë, Kukësi, nis rrugëtimin aktiviteti kinematografik në bashkitë e qyteteve Berat, Devoll, Kuçovë, Patos, Gjirokastër, Cërrik, Saranda, Shkodër, Tiranë. Në Kukës do të shfaqen edhe filma si “Dy Luanë në Venecia”, “Kadillak dhe manaferra”, filmi për gjakmarrjen “21000 ditë”, etj. Aktiviteti “Open Cinema”, që prej vitesh po zhvillohet në vendin tonë i çon filmat te publiku, që nuk ka mundësi ti ndjekë në një sallë kinemaje.