Për rreth dy orë ditën e djeshme, institucioni ku Bujar Nishani shërbeu për 5 vite hapi dyert për të pritur mesazhet ngushëlluese pas humbjes së jetës në mënyrë të parakohshme të ish-Presidentit.
Arkëmorti me trupin e pajetë të ish-Presidentit Bujar Nishani për dy ditë qëndroi në sallën “Skëndërbeu” në Presidencë, ndërsa bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët pritën mijëra mesazhe ngushëlluese nga familjarë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të ish-Presidentit.

Sapo shkoi ora 12:00, familjarët, ish-presidentët dhe politikanë të ndryshëm bënë nderimet e fundit para arkëmortit të Nishanit. Ndarja përgjithmonë nga njeriu i zemrës rëndoi gjendjen emocionale të Odetës, bashkëshortes së ish-Presidentit, e cila humbi ndjenjat në momentin që kortezhi u nis drejt varrezave të Sharrës.
BASHËS I HEQIN KURORËN ME LULE NGA ARKËMORTI
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk mori pjesë dje fizikisht në homazhet për ishPresidentin Nishani që u zhvilluan në Presidencë. Burimet bëjnë me dije se prej afro një jave, ish-kryetari ndodhet jashtë shtetit. Herën e fundit ai bëri foto në Roterdam me Presidentin e PPE të sapozgjedhur vetëm pak ditë më parë. Në mungesë të prezencës, Basha dërgoi një kurorë me lule në arkëmortin e ish-Presidentit. Por menjëherë sapo një prej bashkëpunëtorëve të Bashës lë kurorën me lule, shoferi i ishkreut të shtetit u ngrit dhe hoqi kurorën që mbante shënim emrin e ish-kryedemokratit.







































