Google search engine
Home Aktualitet Thellohet skandali me privatizimin e klubit “Partizani”, ja si dhëndri i Berishës...

Thellohet skandali me privatizimin e klubit “Partizani”, ja si dhëndri i Berishës u bë pronar i kompleksit sportiv me vendim të Genc Rulit

0
275

Thellohet skandali me privatizimin e klubit “Partizani”. Një ditë më parë gazeta “SOT”, denoncoi në numrin e saj skandalin për kthimin e kompleksit sportiv “Partizani'”në shesh ndërtimi, ku përfitues ishte dhe dhëndri i kryeministrit Sali Berisha, biznesmeni i trojeve në bregdetin shqiptar, Jamarbër Malltezi dhe motra e tij, Olta Malltezi, ndërkohë që sot po sjellë për lexuesin të tjera detaje përvëluese dhe emra ish-zyrtarësh të lartë që kanë abuzuar me pushtetin qendror dhe vendor në vitet 2005-2009. Në këtë aferë korruptive, të ngritur mbi shkelje të hapur e të plotë ligjore, rezultojnë të përfshirë si organizatorë aktiv të kundër ligjshëm, dy krerët e politikës shqiptare Berisha dhe Rama, të cilët kishin në dorë gjithashtu edhe pushtete ekzekutive, njeri ish-kryeministër dhe tjetri ish-kryetari Bashkisë Tiranë. Të dy në bashkëpunim, kanë mbështetur interesat dhe shkeljet e rënda ligjore që kanë bërë në privatizimin dhe shkatërrimin e kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, duke e kthyer atë në shesh ndërtimi për pallate dhe mjedise shërbimesh publike, duke i dhënë pjesë në këtë pronë publike edhe dhëndrit të Sali Berishës. Por, ndërsa ish-kryebashkiaku ka miratuar me një vendim të KRRT të Tiranës, kthimin në shesh ndërtimi të këtij kompleksi, afro 7 muaj më parë, pra në datën 29 dhjetor 2007, për ndërtim godine banimi dhe shërbimesh me 5, 7 dhe 9 kate, me 2 kate parkim nëntokë, ligji e pengonte marrjen e këtij vendimi, mbasi përcakton qartë dhe prerë, qe Komplekset sportive ndalohet te privatizohen dhe t’u ndryshohet funksioni. Mirëpo, kur në lojë është dhëndri i ish-kryeministrit të vendit dhe kur kryetar bashkie e KRRT-je ishte Edi Rama, 1 akuzuar për krime ekonomike dhe si “kapo i trafiqeve” që tashmë mbrohet nga kryeministri atëherë ligji e ka “një përjashtim” dhe shkelet, sikur të jetë një copë letër pa vlerë. Me dokumentin faktik që botuam në gazetën”‘SOT”, vërtetuam denoncimin që kemi bërë për lidhjet korruptive politike dhe ekonomike mes dyshes Berisha-Rama, të cilët kanë planifikuar qysh një vit më pare, grabitjen e kompleksit sportiv “Partizani” dhe të kompleksit sportiv “Dinamo” e të mjediseve të tjera sportive në Tiranë.

Ja si Ruli i fali Malltezit pronën sportive

Skandali i grabitjes së kompleksit sportiv “Partizani” është thelluar edhe prej një vendimi tjetër zyrtar, që ka marrë ministri i Energjetikës, Ekonomisë dhe Tregëtisë, njeriu i aferave të reja e të vjetra korruptive, Genc Ruli, në lidhje me privatizimin e këtij kompleksi sportiv. Ndërsa miku politiko-ekonomik” i Berishës, ish-kryebashkiaku Rama, ka marre vendim KRRT-je në datën 29.12.2007 për kthimin e kompleksit “Partizani” ne shesh ndërtimi, ish-ministri Genc Ruli, vetëm 7 ditë më pas dhe konkretisht në datën 04 janar 2008, ka firmosur urdhërin e veçantë, për të nisur procedurat e shpejta të privatizimit të këtij kompleksi, duke caktuar edhe komisionin e vlerësimit të shitjes së kësaj prone shtetërore. Ashtu si ish-kryebashkiaku Edi Rama, natyrisht me porosi-urdhër të ish-kryeministrit Sali Berisha, edhe ish-ministri Genc Ruli ka firmosur privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”, pronë shtetërore, që 7 muaj përpara miratimit të ligjit “Berisha” që e lejon privatizimin dhe shkatërrimin e këtyre komplekseve.

Ky veprim-skandal, nuk ka ndodhur se i shërben interesave kombëtare, as reformës së qeverisë së “duarve të pastra”, as futjes së Shqipërisë në NATO e BE, as “suksesit” në procesin e privatizimit, por sepse i shërben interesave të mafies ekonomike e politike zyrtare shqiptare, që ka në dorë dhe që komandon monopolin e grabitjes së trojeve, të tregtisë me lejet e ndërtimit dhe kontrollit të shesheve të ndërtimit në kryeqytet dhe në zonat bregdetare e ato turistike malore.

Pronësia e kompleksit sportiv “Partizani” u paracaktua

Skandali me grabitjen e këtij kompleksi sportiv thellohet edhe më tepër, kur ballafaqon vendimin e ish-kryebashkiakut Edi Rama dhe urdhrin e ish-ministrit Genc Ruli. Në vendimin e Ramës, thuhet se miratohet leja për shesh ndërtimi për një grup bashkëpronarësh, mes të cilëve edhe bashkëshorti i Argita Malltezit, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe motra e tij Olta Malltezi. Pra, sheshi është miratuar për pronarët e këtij trualli në datën 29 dhjetor 2007 dhe këtu duket, se është caktuar pronësia dhe janë mbyllur llogaritë me këtë kompleks sportiv. Ndërsa në urdhërin e ish-ministrit Ruli, që mbanë datën 04 janar 2008. pra të pas 7 ditëve, urdhërohet nisja e procesit të privatizimit të kompleksit “Partizani”! Ky është një skandali rëndë dhe një grabitje e hapur e bërë në grup prej njerëzve që asokohe kanë pasur në dorë pushtetin politik dhe atë ekzekutiv. Në epiqendër të këtij skandali qëndron dhëndri i ish-kryeministrit, në shërbim të përfitimeve të të cilit është vënë në dispozicion jo vetëm pushteti i vjehrrit, por dhe pushteti ekzekutiv bashkiak i aleatit të tij të pakteve të pista, ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Dhe po kështu, në dispozicion është vënë dhe ish-ministri Genc Ruli. Këta, në bashkëpunim dhe rakordim marrëveshjesh të pista, kanë marrë vendime dhe kanë nxjerrë urdhra në kundërshtim, madje 7 muaj përpara se kjo e drejtë t’u miratohet me ligj. Si mbështetës i tyre në këtë skandal është bërë dhe vazhdon të jetë ish-kryeministri Berisha, i cili po kështu, në shërbim të mbulimit të skandalit dhe mbrojtjes së interesave ndërtuese e pasurore të paligjshme dhe korruptive të dhëndrit e të vajzës së tij, nxitoi të miratojë ligjin e posaçëm, për të legalizuar grabitjen paraprake që i kanë bërë kompleksit sportiv “Partizani” dhe të komplekseve të tjerë, që ata kanë projektuar për t’i grabitur në vazhdim, me ligjin që u miratua vetëm 10 ditë më parë. Ne disponojmë dokumente të plota për këto grabitje objektesh dhe trojesh jo vetëm sportive, por edhe hapësirash të blerta, qendrash ekonomike e shërbimesh publike të mbyllura qëllimisht, të cilat tashmë janë në “trekëmbëshin” Berisha-Rama- Ruli, për t’u “ekzekutuar” për sheshe ndërtimi. Pra të gjitha këto tregojnë se në “koleksionin” e veprimtarisë së Genc Rulit, si ish-Ministër i Ekonomi-Energjetikës, gjendet dhe procedura anti-ligjore e grabitjes së “Kompleksit Sportiv Partizani”, me metodën e privatizimit, në favor të familjes kryeministrore “Berisha”, duke ia shitur Argitës “për 5 lekë”, nëpërmjet dhëndrit Jamarbër Malltezi (Markezi i familjes Berisha) dhe motrës së tij, Olta Malltezi.

Thellohet skandali me privatizimin e klubit "Partizani", ja si

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here