Reali zbarkon në Paris, Ançeloti dhe Klop kanë planin e tyre për trofeun e Champions

0
38

Skuadra spanjolle u shfaq në rrugët e Parisit nën masa të rrepta sigurie e pak më vonë mbërriti dhe Liverpuli, Klop thotë është Reali favorit

Në Paris të Francës, Reali i Madridit i trajnerit Karlo Ançeloti do të sfidojnë Liverpulin e teknikut gjerman Jurgen Klop, në kuadër të finales së madhe të Ligës së Kampioneve që do të luhet sot në mbrëmje në stadiumin kombëtar të Parisit. Megjithatë, “Los Blancos” e kanë treguar përgjatë rrugëtimit të tyre europian se mund të fitojnë ndaj kujtdo edhe nëse të gjithë i mendojnë të dorëzuar, ashtu siç ndodhi në gjysmëfinale ndaj Mançester Sitit. Ndërkohë, madrilenët kanë mbërritur në kryeqytetin francez dhe entuziazmi ka qenë i madh me njerëz të shumtë të cilët mbushën rrugët për të ndjekur nga afër disa prej lojtarëve më në zë të momentit, pa harruar faktin se në radhët e Real Madrid luan edhe bashkëkombasi i tyre, Karim Benzema. Ndaj, kanë një arsye më shumë për të mbështetur spanjollët në finalen e së shtunës ndaj Liverpul. Ndërkohë, në konferencën përpara ndeshjes, tekniku i skuadrës së Liverpulit, Jurgen Klop, komentoi për këtë sfidë dhe për formën që po kalon ekipi. “Ne luajmë përballë ekipit me më shumë trofe, me një trajner që i ka fituar të gjitha. E vetmja gjë që po mendojmë është se si ta fitojmë ndeshjen. Ne jemi të gjithë të motivuar nga disa gjëra të ndryshme. Ne kemi 25-26-27 lojtarë dhe të gjithë janë të motivuar ndryshe. Nuk e kemi harruar çfarë ndodhi në Kiev, por kemi mjaftueshëm motivim për të mos e parë sërish. Të dyja skuadrat kanë një ecuri të mirë të ndeshjeve. Nuk e di nëse fusha do të jetë e mirë ose jo. Ndoshta është perfektë, edhe pse nuk duket ashtu. Shpresoj që askush të mos flasë për fushën. Ne jemi të lumtur që jemi këtu. Ne jemi gati, por historia do na e tregojë. Jam krenar për çfarë kemi bërë, ka qenë speciale. 120 minuta me Çelsin dhe më pas penalltitë. Do të isha më mirë në rast fitoreje, shumë më mirë”, theksoi Klop. I pyetur se cilën skuadër sheh favorite, trajneri gjerman përmendi rivalin e vet, pra Realin e Madridit. “Nëse mendon për historinë, eksperiencën e kundërshtarit, se si Reali i Madridit është kthyer në situata të caktuara, por mendoj se është Reali. Nëse ne jemi në formën më të mirë, atëherë mendoj se është vështirë të luash kundër nesh. Siguria e lojtarëve të Realit do të jetë shumë e lartë dhe kjo është diçka e rëndësishme në futboll. Kur je në një skenë të madhe, do të duhet të bësh një performancë të madhe. Ne e bëmë në Kiev. Ne mësuam se si të fitonim. Kam humbur shumë finale në jetën time. Djemtë janë rritur vërtetë në tre vitet e fundit. Ne jemi pjesë e një klubi masiv”, u shpreh ndër të tjera trajneri Jurgen Klop.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj