Google search engine
Home Politike Pasi dështoi me Akademinë e “Çobenjve”, Rama ngre në qiell ministren e...

Pasi dështoi me Akademinë e “Çobenjve”, Rama ngre në qiell ministren e Bujqësisë dhe AZHBR, thumbon edhe Erion Braçen

0
203

Pak kohë më para Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca bëri bujë me deklaratën e saj, ku tha se do të ngrejë akademinë e barinjve, për t’i përgatitur këta të fundit në profesionin e tyre. Por asgjë nuk u bë ashtu si tha Krifca, dhe akademia e barinjve akoma nuk është ngritur. Pasi vendi u përfshi nga kriza e grurit, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe pa kaluar shumë kohë nga gafa e parë, ministrja Krifca bëri një tjetër gafë, ku tha se fermerët duhet të  mbjellin grurë në muajin mars. Gruri është një bimë që mbillet në periudhën e vjeshtës dhe ministrja duket se nuk e dinte se kur bujqit mbillnin grurin, një ndër artikujt kryesor për shqiptarët.

Rama: Ka vdekur koha kur AZHBR ishte degë partie

Kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme gjatë prezantimit të programi IPARD III për bujqësinë në Shqipëri, nënvizoi se koha kur fondet jepeshin nga qeveria ishin vetëm për njerëzit e partisë, ka mbaruar. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo lloj mbështetje do të përfitohet nga to vetëm përmes punës. “Fermerët sot punojnë të qetë sepse e kanë prodhimin e tyre të shitur. Rruga e vjetër e të punuarit vetëm e të ndalurit vetëm në treg nuk funksionon më duhet bashkim forcash. Jo bashkim forcash si dikur, po bashkim forcash ku tjetër kush e punon tokën tjetërkush e ofron farën, tjetër kush bën grumbullimin dhe të gjithë më pas bëjnë shitjen. Sado të përpiqemi që t’i vëmë përballë faktet, ajo që ka rëndësi është që të tërheqim sa më shumë njerëz në një rrjet që të përfitojnë nga fondet e BE-së. Na takon ne që këto fonde që kemi siguruar që t’i vëmë në punë. Bujqësia ishte e ndarë në parcela partie, ajo kohë ka vdekur. Koha kur jepeshin para për të bërë punë në Bujqësi ka vdekur”, u shpreh Rama.

Rama thumbon Braçen: Flasin njerëz që me fshatin s’kanë asnjë lidhje

Kryeministri Edi Rama “shigjetoi” ditën e djeshme kritikët për kushtet e fermerëve në vend. Edhe pse nuk përmendi emër, i vetmi brenda selisë mavi që flet për fermerët është ish-zv.kryeministri Erion Braçe, i cili nuk ka nguruar që të sulmojë hapur ministren e bujqësisë. Në fjalën e tij, sot Rama tha se personat që ankohen për kushtet e fermerëve në vend, por i ironizoi duke u shprehur se shumë prej tyre nuk e kuptojnë se çfarë flasin. Ose kishte dhe një version tjetër; sipas Ramës nuk donin që të kuptonin.  Sipas kryeministrit, për bujqësinë flasin njerëz që me fshatin s’kanë asnjë lidhje, duke thumbuar ish-numrin dy të qeverisë.. “Flet vetë realiteti, sot nuk është më fermeri që i duhet të dalë në rrugë të shesë prodhimet. Fermerët punojnë të qetë se e kanë prodhimin e tyre të shitur. Flet shumëkush për bujqësinë që s’merr me frymë, nuk ka perspektive, që po braktiset fshati, flasin njerëz që me fshatin s’kanë asnjë lidhje, ose ata që nuk duan të kuptojnë, se rruga e bërjes sukses ka ndryshuar, nuk është më rruga e vjetër. Nuk funksionon më, duhet bashkim forcash”, tha kryeministri Edi Rama. Kujtojmë që pak kohë, ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, përmes një postimi në Facebook thumbonte Qeverinë teksa shkruan te se bujqësia është në probleme serioze, pasi rritja e çmimit të naftës i ka dëmtuar shumë bujqit. Gjithashtu sipas deputetit të PS ishte edhe vaditja për të cilën nuk është marrë asnjë masë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here