Artistët: Ligji i artit i 2010 është glorifikimi i pushtetit absolut të titullarit, një ligji i ri duhet për mbrojtur artistët dhe jo për të na shkatërruar

0
201

Artistët kërkojnë një ligj për artin dhe kulturën, që ti mbrojë. Here pas here në reagimet e tyre ata shprehen se deri tani Ministria e Kulturës ka treguar se nuk ka vullnet për ta bërë këtë. Por sipas tyre ligji 10 352 për artin dhe kulturën i 2010 nuk përshtatet me situatat, që po kalon arti dhe kultura. Në reagimet e tyre artistët shprehen se ndihen të pambrojtur, ndërsa ligji aktual glorifikon pushtetin e titullarit. Për artistët është Ministria e Kulturës që duhet të marrë në mbrojtje ata dhe koha është për një ligj të ri arti. Tenori Rudi Sata shprehet me kritika për Ministrinë e Kulturës. Ai thotë se koha është për një ligj të ri për artin dhe me institucione të modelit evropian. “Infrastruktura ligjore ka kolapsuar figurën e artistit dhe madje dhe vetë institucionin. Ministres së Kulturës Margariti nuk i intereson ta bëjë të zëshëm vullnetin për ta ndryshuar ligjin e artit aktual, sepse ky zë po u amplifikua i hap punë asaj. Nuk duan të bëjnë ligj nga BE, këta duan të jenë dhe ligji dhe Maliqi. Nuk i shkon mendja për ligjin e artit, sepse ligji e pengon atë”, thotë tenori Sata në një reagim të tij rreth problemeve. Tenori Rudi Sata thotë se institucionet në vendin tonë vazhdojnë akoma të funksionojnë me ligjin nr. 10 352 të vitit 2010 për artin dhe kulturën, por është denigruar figura e artistit. “Ligji 10 352 i jep mundësinë drejtuesve të institucioneve të artit dhe kulturës të pushtetit qëndror të drejtojnë dhe organizojnë funksionimin e brendshëm. Nuk ka se si ky ligj të jetë normal institucional kur në nenin 9 dhe 11 tregohet qartësisht, që titullari i institucionit është i gjithëpushtetshëm dhe drejton në çdo organizëm kontrollues ligjor në atë institucion. Ky ligj është glorifikimi i pushtetit absolut të titullarit. Kjo infrastrukturë ligjore ka denigruar figurën e artistit”, thotë tenori Sata.

Arti të jetë prioritet

Regjisore dhe aktore e teatrit edhe Eliona Thomaraj thotë se duhet që të bëhet më shumë për artistët në vend. Sipas saj, artistët janë në pritje të punës që duhet të bëjë Ministria e Kulturës për problemet që ata hasin në aktivitetin artistik, por kjo duke nisur që nga ligji i artit. “E kam thënë dhe më parë, duke qenë se ministrja e Kulturës Margariti ka krijuar prioritetet e veta, arti në përgjithësi dhe sidomos teatri nuk bën pjesë te prioritetet e saj. Duke qenë se nuk na ka prioritet ne jemi gjithmonë në pritje”, thotë regjisorja Thomaraj. Përballë problemeve që ndeshin në jetën artistike artistët edhe më parë janë shprehur se mungon vëmendja e duhur. Për aktoren Eliona Thomaraj artistët duhet të merren në mbrojtje nga Ministria e Kulturës. “Një ligji i ri arti do ishte gjëja me mirë, por duke mbrojtur interesat e artistëve, jo të bëjnë ligje për të na shkatërruar. Dikush duhet ti marrë në mbrojtje artistët”, thotë regjisorja Thomaraj. Edhe Sindikata e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë më parë i është drejtuar Ministrisë së Kulturës me letra, ku kërkon që të nisë puna për zgjidhjen e kërkesave, një prej tyre është dhe për të bërë ligjin e ri mbi artin dhe kulturën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here