Vila 700 mijë euro fut në sherr “Foltoren” me PD, ja kush është ish-ministri që e posedon, SPAK pritet të nisë procedim penal

0
164

Përplasjet brenda Partisë Demokratike u shfaqën këtë herë brenda sallës së Parlamentit ditën e djeshme. Akuzat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi se njëri prej deputetëve dhe ish-ministrave pjesë të Grupit të Rithemelimit zotëron një vilë me vlerë 760 mijë euro, e cila është zbuluar nga qeveria socialiste duke mbajtur “peng” fraksionin e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Këto deklarata eksponenti demokrat i bëri në një studio televizive para dy ditësh. Deputeti i “Foltores” Edmond Spaho dhe Bardhi shkëmbyen ndaj njëri-tjetrit ofendime. Spaho kërkoi që sekretari i PD t’i tërheqë akuzat.  “Palaço. Dil jashtë po ta mbajti. S’të vjen turp shpifës, mashtrues”, u nxeh deputeti i Korçës me sekretarin demokrat. “Shko, mor, mbushu!”, iu kthye nr.2 i PD kolegut të tij. Mes deputetëve demokratë të Komisionit të Rithemelimit, ish-ministra rezultojnë Tritan Shehu (Ministria e Punëve të Jashtme 1996-1997 dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mjedisit 1992-1994), Flamur Noka (Ministria e Brendshme 2012-2013) dhe Edmond Spaho (Ministria Turizmit në vitet 1993-1994). Vetë zyrtari i lartë demokrat Gazment Bardhi ende nuk e ka nxjerrë emrin konkret se cili është ish-ministri i kohës kur PD ishte në pushtet në vitet 1992-1997 dhe 2005-2013. Megjithatë gazeta ka muar se për ish-ministri që posedon vilën pritet që SPAK të nisë hetimet.
Bardhi ironizon: ‘Publiciteti’ i uli vlerën vilës
Vetë eksponenti i PD zyrtare ironizoi “Foltoren” duke shkruar në profilin e tij në “Tëitter” se sherri “publicitet” mes tij dhe kolegut Spaho uli çmimin e vilës që ka denoncuar nga 760 mijë në 670 mijë euro.“E rëndësishme është që për shkak ‘të publicitetit’ çmimi i vilës është ulur,”shkruan Bardhi.
Spaho-Bardhit: Mbron pronat e atij që të përdor si Mon Kukaleshi
Deputeti demokrat i Korçës, Edmond Spaho iu kundërpërgjigj Gazment Bardhit në profilin e tij në Facebook duke e quajtur mashtrues, shpifës dhe intrigant. Ai u shpreh se të ardhurat e tij i ka deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) që në vitin 1993. Ai akuzoi Sekretarin e PD se i shërben një individi (nuk ia zbulon emrin) të cilit i mbron pronat dhe e përdor si shef policie nëpër fushata elektorale. Spaho e quajti Bardhin “Mon Kukaleshi” (Selman Kukaleshi), i cili ka qenë shef i policisë së Tiranës gjatë kohës së mbretit Ahmet Zogu, i cili u portretizua në komedinë “Prefekti”.  Jo vetëm kaq, por deputeti i “Foltores” i përmendi dhe ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan ku mbeti i vrarë militanti i PS, Pjerin Xhuvani nga ish-efektivi i RENEA-s dhe pjesëtar i Strukturës së Mbrojtjes së Votës, Arbër Paplekaj. Bardhi është akuzuar si person që ka pasur dijeni për ngjarjen teksa ndodhi 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Struktura në fjalë ishte ngritur nga PD për të penguar shitblerjen e votave nga radhët e kundërshtarëve. “Gazmend Bardhi është mashtrues, gënjeshtar, i pafytyrë, intrigant, burrë legen dhe pa të poshtme. Edmond Spaho gjithë jetën e tij, nga dita e parë që ka dalë në punë dhe deri me sot, ka jetuar me shpatullat e tij dhe pagën e punës që ka bërë. Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë biznes në emrin tim apo të të afërmve. Ajo ç’ka unë dhe familja ime disponojmë është në dritë të diellit, deklaruar ne ILDKP që nga viti 1993 kur kam deklaruar për herë të parë e deri më sot. Gazi bën mirë të kujdeset për pronat e tij. Nëse merret me të tjerët, të merret me pronat e atij që jo vetëm i lëpihet, por dhe e përdor si Mon Kukaleshi në fushata. Shiko hallet që të kanë zënë, mos hap fronte të tjera se mjaft e ke ngjarjen në Elbasan”, u përgjigj në rrjetet sociale Edmond Spaho.
Shehu: Bardhi të merret i pandehur për fshehje krimi
I ashpër për akuzat e Gazment Bardhit se “Foltorja” po mbahet nën presion nga kryeministri Edi Rama pasi ka zbuluar ekzistencën e një vile me vlerë 760 mijë euro në pronësi të një prej ish-ministrave demokratë, u shfaq dhe deputeti Tritan Shehu. Në rrjetet sociale, deputeti i Gjirokastrës dhe ish-ministri demokrat i kërkoi drejtësisë ta marrë Bardhin të pandehur për fshehje krimi në rast vërteton akuzën e hedhur dhe ka patur dijeni prej kohësh. “Me këtë rast dëshiroj t’i kujtoj këtij individi pa as minimumin e personalitetit dhe integritetit se: Është detyrim ligjor për çdo qytetar, veçanërisht deputet, të denoncojë në organet përkatëse çdo vepër kriminale që di dhe mos ta përdorë për të hedhur aludime dyshuese, shpifjeje për kolegët. Në rast se realisht ai di një vepër të tillë, siç deklaron dhe nuk e denoncon, akuzohet për fshehje një krimi, gjë për të cilën duhet thirrur nga organet e drejtësisë e dënuar ligjërisht”, shkruan Shehu. Në fund, ai e mbyll statusin duke sulmuar zyrtarin e PD se nuk ka vlera morale dhe akuzat ndaj “Foltores” janë akte të turpshme prej burreci. “Ndërsa në lidhje me përgjegjësitë morale e më gjerë të tij për shpifje, gënjeshtra etj, besoj se nuk ka ndonjë arsye për të humbur kohe duke ia kërkuar. Ato mund t’i kërkohen vetëm dikujt që ka ndonjë vlerë morale, gjë që siç duket te Gazi mungojnë krejtësisht. Një akt i turpshëm e pervers ky i këtij burreci!’, komentoi deputeti i Foltores, Tritan Shehu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here