Muharrem Xhafa “shpërthen” ndaj Çelo Hoxhës: Neo-nazifashist që abuzon me detyrën, njësoj si Tufa po tenton të njollosë LANÇ dhe glorifikojë ballistët

0
36

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit prej kohësh është kthyer në qendër të debatit. Dorëheqja e Agron Tufës dhe zëvendësimi i tij në krye të këtij institucioni me Çelo Hoxhën i ka forcuar edhe më tepër përplasjet. Ish-shefi i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të PPSH, Muharrem Xhafa reagoi dje ashpër pas kritikave të lëshuara nga kreu i ISKK, Çelo Hoxha nga foltorja e Parlamentit të enjten që shkoi, teksa u shpreh ditën e djeshme se ISKK është kthyer në institucionin e turpit. Në një prononcim për gazetën “SOT”, Xhafa e quajti Çelo Hoxhën njeri të ligë që po abuzon me detyrën. Sipas tij, kreu i ISKK po shpif për heronjtë e luftës, Partinë e Punës dhe LANÇ. “Çela është personi më i lig, që ka ngritur dorën kundër LANÇ-it, duke qenë zyrtarisht në krye të një institucioni shtetëror si “Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”, i ngritur me vendim të Berishës dhe i paguar majmur nga shteti i sotëm antipopullor me paratë e taksapaguesve shqiptarë. 265 heronj e dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ky Çelo Hoxha neonazifashist, sëbashku me Tufën i bën kriminelë. Pa pikë dyshimi, ky pozicionim është nazist dhe një dëshmi që Tufa-Hoxha është i lindur për shpifje! Ai i ka shpifje e mllefe të gjitha ato që thotë. Kur 265 heronjtë e dëshmorët, të cilët Tufa i përmend me emër e mbiemër dhe i cilëson kriminelë, luftonin si trima mbi trimat kundër nazizmit gjerman dhe fashizmit italian, ai (Tufa) dhe ky Çelo Hoxha, nuk kishte hapur akoma sytë. Është skandal që të kërkosh rishikimin e historisë dhe të quash Partin e Punës pari ilegjitime”, deklaroi ai.

Instituti i drejtuar nga Hoxha

Më tej gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, ish-shefi i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të PPSH, Muharrem Xhafa theksoi se për krimet e kohës së komunizmit nuk është përmendur në asnjë deklaratë ndërkombëtare. Madje, Xhafa deklaroi se dorëheqja e Agron Tufës e kthehu akoma dhe më keq ISKK. “Së pari, ju them juve dhe opinionit publik shqiptar se ky është Instituti i Turpit të Popullit Shqiptar, jo Instituti i Studimeve për Krimet e Pasojat e Komunizmit! Se komunizmi nuk ka bërë krime, po përkundrazi, ka sjellë dobi e pasoja të dobishme për masat popullore shqiptare. OK, jo për borgjezinë! Sigurisht, shteti socialist a komunist shqiptar i ka dënuar kriminelët, ata që kanë bërë krime kundër vendit, rendit e popullit dhe ka vepruar drejt, duke respektuar ligjin! Nëse doni, shihni me vëmendje Deklaratën e Asamblesë se Përgjithshme të BE dhe do të gjeni në të se Shqipëria nuk përmendet për krime të komunizmit. Ndaj ku i gjetën horrat e borgjezisë shqiptare krimet e komunizmit? Ky Institut është i zi, po “fytyrën” e zezë të tij e plotësoi duke e bërë edhe më kriminale “arratisja” e drejtorit Tufa”, u shpreh ai.

Glorifikimi i vrasjes së heronjve

Më tej në reagimin e tij për gazetën, Muharrem Xhafa deklaroi se ISKK vijon të ekzistojë për të glorifikuar vrasjen e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut. “Palo Instituti për të cilin pyesni është ngritur kur në pushtet ishte Berisha; vijoi e vijon me Ramën, mund të vijojë nesër me Ramën a ndonjë tjetër për të glorifikuar vrasësit e heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut, në shërbim të shtetit borgjez e kundër popullit. Së treti, Instituti i Studimeve të Krimeve e Pasojave të Komunizmit i drejtuar nga Çelo Hoxha as nuk duhet të kishte ekzistuar, as nuk duhet të ekzistojë më asnjë ditë, sepse në Shqipëri nuk ka krime të komunizmit, po ka vepra në shërbim të popullit. Pyeteni popullin, a e do populli këtë Institut gjakpirës? Ok, ketë Institut e do borgjezia reaksionare”, tha ai.

Ish-funksionari i lartë i PPSH sulmon Berishën

Por dje gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Xhafa nuk ka kurësuer as ish-kryeministrin Sali Berisha, teksa u shpreh se Berisha nuk hedh dot baltë mbi LANÇ dhe se sipas tij, askush nuk ja ul dot vlerat Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Madje ai sfidoi hapur Berishën teksa i kërkoi se ka ardhur koha që të pranojë nëse ka qenë komunist i thekur dhe e drodhi apo ka qenë agjent i huaj. “Përrallat e Berishës për dekomunistizimin e vendit nuk i ha kush, përveç ballisto-zogistave e reaksionarëve të tjerë, bashkëpunëtorë të pushtuesve nazi-fashistë! PD-ja u krijua me lejen e porosinë e Ramiz Alisë! Kush është i interesuar, ai ose ajo, le të lexojë në shtypin e kohës çfarë ka thënë Berisha për Enver Hoxhën e socializmin! Berisha ka dy rrugë : ose të pranojë se ka qenë komunist i thekur dhe e drodhi, ose të pranojë se ka qenë agjent i duruar dhe besnik i agjenturave të huaja në radhët e PPSH-së. Nëse dikush dëshiron të shohë se si Berisha e ka trajtuar LANÇ-in, ai ose ajo le të lexojë Berishën për këtë problem! Jam i sigurt se Berisha flet sot për LANÇ-in si luftë vëllavrasëse dhe civile! Berisha shkruante se LANÇ-i ishte lufta më heroike në historinë e popullit shqiptar”, deklaroi ai.

Xhafa: Berisha, politikan hipokrit dhe mëkatar

Më tej gjatë prononcimit të tij për gazetën “SOT”, ish-funksionari i lartë i PPSH, Muharrem Xhafa akuzoi ish-kryeministrin Sali Berishë se është një politikan hipokrit dhe që ka bërë shumë mëkate ndaj qytetarëve shqiptarë në këto 30 vite. Sipas tij, Berishës nuk i interesojnë shqiptarët dhe Shqipëria, por vetëm interesi i tij. “Sali Berisha, po të ishte që i digjej shpirti për Shqipërinë e popullin e saj, do të kishte reaguar përpara se të shpallej “non grata”! Po ai reagoi, pasi u shpall “non grata”, sepse iu prekën interesat ekonomike të tij e të familjes së tij, si edhe sahanlëpirësve tij! Unë jam si kundër Bashës edhe kundër Berishës, sepse jam kundër sistemit borgjez, që shtyp popullin dhe ngre lart borgjezinë, po nuk mund të mos them se Berisha është mëkatari më i madh i PD-së, që ishte deri dje në mbështetje të Bashës! Ato që Berisha thotë sot kundër Bashës janë tejet të vonuara dhe flasin për dopjo gabim të Berishës! Ok, populli thotë : më mirë vonë se kurrë, por thotë edhe se është më mirë shpejt se vonë”, nënvizoi ai.. Ndërkohë akuzat se heronjtë e LANÇ-it janë cilësuar edhe si varrmihës, zoti Xhafa i cilësoi skandal.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj