Në qytetin e Lezhës ditën e djeshme u zhvillua një takim i rëndësishëm, me në fokus tematikën për përhapjen e praktikës së mirë menaxhimit të mbetjeve. Mbledhja u zhvillua ndërmjet bashkisë Lezhë dhe bashkive që kanë shfaqur interes për zbatimin e kësaj praktike.
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, me mbështetjen e projektit Bashki të Forta ka iniciuar procesin e replikimit të praktikave të mira, për të krijuar një mekanizëm zhvillues, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të ofruara tek qytetarët nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Praktika për menaxhimin e mbetjeve është përmirësuar me plotësimin e dokumentacionit me ndihmën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë z. Enea Hoti, inkurajoi bashkitë pjesëmarrëse dhe garantoi mbështetjen e mëtejshme të stafit të agjencisë për ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit. AMVV do të nxisë dhe promovojë shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin ndërbashkiak, për të mundësuar përmirësimin e shërbimeve në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Në këtë proces të rëndësishëm janë përfshirë edhe bashkitë e tjera si: Durrës, Has, Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Bulqizë dhe Tropojë. Në kuadër të përhapjes së praktikave të mira, në javët në vazhdim do të zhvillohen takimet në bashkinë Dimal për praktiktën “Rritja e të ardhurave vendore nëpërmjet sistemit informatik” (e-bashkia) dhe në bashkinë Has për praktikën “Krijimi i grupeve vullnetare në funksion të mbrojtjes civile”.








































