Ditën e sotme gjyqtari Jonathan Rose dha vendimin që shqiptari Markelian Baku, i cili u kap në një “shtëpi bari” në Bradford të Anglisë, të dënohet me 10 muaj burg. “Kur të ktheheni në Shqipëri, thuaju kujtdo që do të të dëgjojë se nuk ka kuptim të bësh atë që ke bërë. Nuk do të bësh para, do të shkosh në burg, do të kthehesh në Shqipëri”- i tha gjyqtari 23-vjeçarit shqiptar.
Prokurori Eddison Flint i tha gjykatës së Bradford Crown se policia ishte thirrur për një incident të dhunës në familje, por asgjë e tillë nuk po ndodhte në atë adresë. Dhe teksa largoheshin nga vendi ata vunë re Bakun që po largohej nga pjesa e pasme e banesës dhe u fsheh në një kopësht. Pasi policia kontrolloi zonën, gjeti një fermë kanabisi me 81 bimë të mëdha në katër dhoma dhe një fidanishte me bimë më të vogla.
Baku nuk bëri asnjë koment në polici dhe refuzoi të jepte kodet PIN për telefonat e sekuestruar. Në fakt rasti i Bakut ishte si ai i shumë të tjerëve që kishin arritur në Mbretërinë e Bashkuar duke marrë borxh. Ai po kërkonte një jetë më të mirë, por si emigrant ilegal nuk kishte asnjë mënyrë për të siguruar jetesën e duhur.